Shpëtimi i 18 shqiptarëve dhe 2 britanikëve (mes tyre një grua dhe dy fëmijë), u nis edhe nga Milano, pas telefonatë së një shqiptari.
Gomonia me të cilin ata udhëtonin rrezikoi të fundosej në “Kanalin anglez” në brigjet e Kent. Operacioni u ndërmor në natën mes së shtunës dhe të dielës, shkruajnë mediat italiane.
Qendra e selisë së policisë në Milano, rreth orës dy të natës morri një telefonatë nga një shqiptar rezident në Baranzate (Milano), shumë i shqetësuar për fatin e një të afërmi të tij që ishte në bordin e gomones dhe që e kishte telefonuar duke e paralajmëruar për rrezikun.
Gomonia nisi të merrte ujë. Në këtë pikë, emigrantët kanë telefonuar të afërmit e tyre në vende të ndryshme të Europës.
Autoritet angleze aktivizuan forcat e shpëtimit detar dhe aeroplanë për të lokalizuar mjetin lundrues në baze të informacionit të marrë nga telefonatat.
Në 4 e 30 të mëngjesit, operacioni i shpëtimit kishte përfunduar. Emigrantët u transportuan për në Dymchurch, një qytet i vogël bregdetar në Angli.
Dy shtetas britanikë janë arrestuar si të dyshuar për trafikimin e emigrantëve.
Gjatë ditës së sotme, emigrantët shqiptarë janë duke u marrë në pyetje për të bërë të mundur edhe rindërtimin e ngjarjes.















