Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti doli në një konferencë për shtyp, në lidhje me embargon që Rusia i ka vendosur prodhimeve shqiptare. Panariti tha se Federata Ruse është njoftuar nga pala shqiptare për falsifikimin e certifikatave fito-sanitare të prodhimeve bujqësore dhe situata do të normalizohet.
“ Ne vumë re një shtim të madh të prodhimeve shqiptare në tregun rus dhe si pasojë e kësaj kontaktova Ambasadën e Rusisë, për tu thënë që të ishin të kujdesshëm sepse në treg kishin dalë certifikata të falsifikuara. Dyshimi ynë rezultoi që ishte i drejtë, pasi jashtë territorit tonë, një shtypshkronjë falsifikonte certifikatat, duke shënuar që prodhimet kishin ardhur nga Shqipëria. Kompanitë e dëmtuara shqiptare, do të ngrenë padi penale ndaj përgjegjësve. Ne do të dërgojmë specialistë në Rusi së bashku me përfaqësues diplomatik, për të bërë sqarime”,-tha ministri i Bujqësisë.
Për të parandaluar falsifikimet, Panariti tha se kohët e fundit është ndryshuar filologjia e certifikatës. Gjithashtu ai garantoi prodhuesit se eksportet drejt Rusisë do të vazhdojnë pasi të sqarohet e gjithë kjo situatë. “Shqipëria nuk ka asnjë lloj elementi të abuzimit me eksportimin e prodhimi. Duam të mbajmë raporte me Federatën Ruse. Ndryshuam filologjinë e certifikatës për të shmangur falsifikimet, por siç thashë ky është një fenomen që nuk ka ndodhur në Shqipëri por në vendet e treta.
Kjo është një vepër penale, prandaj firmat shqiptare që janë dëmtuar nga ky fenomen, do të hapin padi penale. Eksportojmë në 18 vende dhe tregu Rus nuk është jashtë vëmendjes sonë. Nuk është se kemi shumë volum për sa i përket prodhimit tonë në Rusi. Kemi si synim nxjerrjen në treg të prodhimeve shqiptare në BE”,-u shpreh Panariti. Ministri i Bujqësisë tha gjithashut se rritja e çmimit të vezëve në treg është e pajustifikushme. Ai garnatoi se do të rritet monitorimi i tregut, për të mos lejuar krijimin e situatave monopole në treg dhe rritje fiktive të çmimit pë prodhimet ushqimore.
















