Mes Edi Ramës dhe Ilir Metës nuk ka më darka miqësore. Më e madhja që ata kishin planifikuar është anulluar. Dy krerët e mazhorancës nuk do ta bëjnë darkën e vitit të ri, të cilin e kishin shtyrë e afruar disa herë.
E-mailin njofton deputetët se mbrëmja festive e shumëpërfolur nuk do të mbahet më as më 14 janar, siç ishte vendosur në fund të dhjetorit. Kësaj here njoftimi nuk shoqërohet si zakonisht me sqarime dhe arsyet mbeten të pasqaruara edhe për vetë deputetët.
Nga zyra e kryeministrit ishin njoftuar disa herë deputetët e PS për t’u përgatitur për takimin festiv. Festa u tha se do të zhvillohej më 23 dhjetor, në një rezidencë luksoze, në Vorë. Fillimisht ishte zgjedhur 26 dhjetori. (lexo më poshtë rubrikën lajme të Lapsi.al) Por shtyrjet duket se përkonin me humorin e dyshes Rama – Meta dhe u bënë barometër i marrëdhënies së tyre jo më aq shumë miqësore, si para prillit të vitit 2015. Këto kohë ata s’janë aspak në ditë të mira. Takimi i përjavshëm i të mërkurës nuk u zhvillua për arsye ende të paqarta.
Meta, pas anullimit të takimit u shpreh më i qartë se kurrë: Reforma në Drejtësi nuk mund të kalojë pa opozitën, edhe pse ndaj PD –së pati kritika. “Politika e faktit të kryer duhet të marrë fund”. Rama, pavarësisht se PD është tërhequr nga komisioni i ekspertëve, vazhdoi me të tijën. Ai i urdhëroi ekspertët e tij që ta përfundonin draftin. Por Meta i kujtoi sot ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, autor kryesor i të cilave është vetë Rama, që i kreu ato në bashkëpunim me kryeministrin e kohës, Sali Berishën.
Darka e anulluar është një tjetër shenjë e qartë se “vëllezërit e 1 prillit” nuk kanë më për çfarë të gëzojnë. Nuk e shohin dot më njëri –tjetrin në sy duke qeshur nëpër takime festiv kur pas shpine fshehin thikat.
Ilir Meta sheh Edi Ramën pas gjithë implikimeve që i bëhen në çështjen DIA të Kastriot Ismailajt. Sulmi i fundit ishte ai i dy ditëve më parë kur gazetari Artan Hoxha i publikoi disa përgjime telefonike, sipas të cilave nga numri celular i Metës i kërkoheshin “200 mijë” Ismailajt.
Kjo çështje është edhe zanafilla e çarjes së tyre, që daton në prill të vitit 2015, kur nga Task Forca e Prokurorisë, prokurori Kostaq Beluri urdhëroi rihapjen e hetimeve për Ismailajn.
Hetimet e kryera në vitin 2008 ndaj Ismailajt, për pastrim parash, përmbanin edhe përgjimin e publikuar jo rastësisht në emisionin Opinion nga gazetari Artan Hoxha. (dokumenti ekskluziv në rubrikën lajme të lapsi.al)
2016 –ta ka nisur duke hedhur më shumë dritë në skenën ku luajnë dy aktorët kryesorë të mazhorancës politike, që tashmë nuk arrijnë të konsumojnë bashkë as edhe një darkë festive dhe duket sikur po luajnë skenat e fundit të një akti me subjekt të zbuluar. Ata, më shumë se kurrë, po shtrëngojnë radhët e partive të tyre, nën një erë që po fryn drejt zgjedhjeve të parakohshme.















