Punoi për muaj të tërë në kuzhinën e KFOR’it, por u largua nga Polica Ushtarake nga vendi i punës.
Kosovari B.A. u përzu nga vendi i punës i dyshuar për lidhje me ekstremistë të dhunshëm në Kosovë dhe jashtë saj, derisa së paku një anëtar i familjes së tij të ngushtë është edhe i akuzuar si pjesëmarrës i xhihadit në Irak e Siri.
Javë më parë, në kampin e NATO’së në Kosovë (KFOR), “Film City” B.A. u largua nga puna në kuzhinën ku ushqeheshin qindra ushtarë paqeruajtës të kombeve të ndryshme.
Ushtarë të KFOR kanë treguar për Express, në kushte anonimiteti, se ai u largua me Polici Ushtarake deri tek dera e kampit.
B.A (identiteti i njohur për redaksinë) ishte larguar nga kjo punë në kuzhinën e KFOR’it nën dyshimin se ai mbante lidhje me ekstremistë të dhunshëm kosovarë që ishin dhe janë përfshirë në xhihad në Irak e Siri.
Për këtë incident brenda KFOR’it, Express ka kërkuar përgjigje edhe nga zyrtarët përkatës të kësaj force ushtarake në Kosovë, por as ata nuk kanë dashur të komentojnë, duke mos e mohuar incidentin.
B.A. sipas burimeve të Express mbante lidhje me të dyshuar për ekstremizëm të dhunshëm dhe i mban edhe ato lidhje derisa edhe postimet e tij i takojnë vijës ekstreme të interpretimit islam të fesë.















