Adoleshenti nga Tropoja që u vra në vendin e punës në landfillin e Sharrës, Ardit Gjoklaj, dyshohet se mund të ketë qënë në gjumë kur është goditur nga ekskavatori.
Sipas GSH, ky ka qënë dhe versioni i parë i ngjarjes, i hedhur fillimisht nga ana e Policisë dhe që mesa duket po konfirmohet edhe nga vazhdimi i hetimeve në Prokurorinë e Tiranës. Burimet nga grupi i hetimit kanë thënë se një pjesë e lëvizjeve të ekskavatorit – kovë janë regjistruar nga një prej kamerave që mbikqyrin rrethimin dhe sigurinë e landfillit.
“Ka të dhëna nga kamerat dhe nga dëshmitarët se 17-vjeçarin e kishte zënë gjumi në mbeturina për shkak të orës së vonë dhe faktit se në orët e para të mëngjesit të datës 7 gusht kishte nisur të binte shi. Për këtë arsye, punëtorët kanë ndërprerë punën në seleksionimin e mbeturinave dhe kanë vendosur të pushojnë,” thanë burimet nga hetimi.
Sipas tyre, disa punëtorë kanë hyrë poshtë strehëve në ndërtesën që ndodhet aty pranë, ndërsa 17-vjeçari Ardit Gjoklaj me sa duket ka vazhduar punën ose është ulur aty ku e ka zënë shiu. Hetuesit kanë dyshime se të riun e ka zënë gjumi aty dhe më pas kur puna ka nisur në landfill, ekskavatori-kovë e ka goditur në kokë dhe në të gjithë pjesët e trupit duke e masakruar. Trupi më pas është lënë në plehra deri të nesërmen në orët e pasdites, kur kufoma është gjetur me sa duket nga punëtorët e tjerë të firmës që kishin ndërruar turnin dhe kanë njoftuar policinë.”















