Në orët e mbrëmjes, media të caktuara kanë raportuar se është arritur marrëveshja ndërmjet bllokut LDK-AAK-Nisma dhe Lëvizjes Vetëvendosje për koalicion.
Nënshkrimi i marrëveshjes do të bëhet në prag të seancës konstituive të 12 shtatorit, përkatësisht brenda dy ditëve të ardhshme.
Sot gjatë ditës, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas një takimi të zhvilluar me partnerët e koalicionit, ka deklaruar se ende nuk kanë arritur marrëveshje me Vetëvendosjen.
Ai ka deklaruar se janë zhvilluar bisedime intensive me Vetëvendosjen këto ditë dhe ka deklaruar se ekziston mundësia reale e arritjes së një marrëveshjeje me ta, por që ende nuk ka ndodhur një gjë e tillë.
“Kemi zhvilluar bisedime intensive me Vetëvendosjen, dhe ekziston mundësia reale e arritjes së një marrëveshjeje, ndonëse ende nuk ka ndodhur një gjë e tillë,” ka thënë Haradinaj, duke shtuar se pret që kjo të ndodhë para seancës 12 shtatorit.
Në anën tjetër, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka theksuar se Vetëvendosja nuk u ka vënë kushte për arritjen e marrëveshjes, mirëpo ka thënë se bisedimet po bëhen për çështje parimore.
Ndërkohë zyrtarë të Vetëvendosjes kanë thënë se ende nuk ka marrëveshje.
















