Huffington Post në gjuhën italiane raporton se gazetari i njohur italian Antonio Caprarica është dorëhequr nga detyra e drejtorit të lajmeve në Agon Channel Italia vetëm 15 ditë pas daljes në transmetim të këtij kanali.
Caprarica deklaron se ky televizion garanton as instrumentat bazikë për të prodhuar lajm, shkruan Huffington Post.
“Dhashë dorëheqjen për një arsye të fortë, për mungesë absolute strukturash dhe një personeli të pamjaftueshëm për të përballuar një edicion lajmesh. Nëse ky është televizioni i së ardhmes, nuk bën për mua. Në kontratë më premtuan një strukturë të ngjashme me standardet ndërkombëtare, ndërsa përfundova duke montuar kronikat nëpër magazina, me një redaksi prej 9 personash qe duhet të realizonin gjithë edicionet, dy orë programacion në mëngjes dhe një orë të plotë në darkë. Më shumë se televizioni i së ardhmes, Agon Channel është televizioni i riciklimit”. – ka thënë në një intervistë publikuar në të përditshmen prestigjoze italiane “La Repubblica”, ish korrespondenti historik i RAI-it.
Caprarica ka dhënë dorëheqjen kështu në mënyrë të menjëherëshme nga posti i drejtorit të lajmeve në Agon Channel Italia.
“Bëra të pamundurën për të nxjerrë në transmetim edicionet e lajmeve, plot 10 të tillë në ditë. Nga program i mëngjesit “I Primi”, deri tek lajmet përmbledhëse të ditës, që transmetohen natën, të gjitha me vetëm 9 redaktorë. Asnjë prodhues, asnjë autor, asnjë sekretari redaksie të paktën. Nga një aparat telefonik për të gjithë, por vetëm një printer…” – tregon në intervistën e tij Antonio Caprarica.
“Një “mrekulli” që nuk përballohej më as duke shtrydhur bashkëpuntorët siç është bërë zakon. Përballë pakënaqësive të mia, pronari Becchetti u përgjigj se “nuk beson se kush punon 12 orë në ditë, ndihet automatikisht keq”.
“Shumë lodhje që shkon kot, në një programacion televiziv që ofron vetëm përsëritje, madje edhe në festën e hapjes më 25 nëntor… – siç kanë mundur të vërejë me trishtim edhe publiku i pakët i Agon Channel Italia.”
“Studiot e standardeve hollivudiane, që askush s’i ka parë, me të cilat pronari i mburret kolegëve, janë vetëm një ‘karrem’ i përdorur për të tërhequr reklama. Për këtë mjaftojnë pak shembuj: dhomat e montazhit të lajmeve janë të vendosura nëpër kontenierë, që nuk janë të izoluar. Kur bie shi, zhurma e pikave dëgjohet në zërin që regjistrohet dhe kjo të detyron tek fqinjët e kanalit shqiptar “Agon Channel” (gjithmonë nëse është e mundur). Edicioni i lajmeve nuk ka një studio (vetëm ‘virtuale’), nuk ka as edhe një staf xhirimi dhe duhet mbyllur e regjistruar të paktën 1 orë e 15 min përpara, në mënyrë që të transportohet në Romë nga ku edhe luhet për transmetim. Shpesh, për shkak të këtyre vonesave, lajmet ezaurohen. Materialet e vetme që përdornim ishin ato të blerat nga agjencitë e lajmeve ose nga ‘youtube’.”
Gazetari thotë se ka tentuar disa herë të flasë me Francesco Becchetin pa asnjë rezultat.
“Shumë herë ia kam bërë të qartë situatën pronarit Becchetti, por pa asnjë rezultat. Në këto kushte, dinjiteti im profesional dhe mbi të gjitha ndershmëria kundrejt publikut, më detyruan të tërheq firmën nga drejtimi i departamentit të lajmeve në Agon Channel Italia, duke respektuar imazhin tim” përfundon deklaratën e tij për ‘La Repubblica’, gazetari Caprarica.
Reagon menjëherë ‘Agon Channel Italia’
Redaksia e Agon Channel shprehet e befasuar jo aq nga dorëheqja e Antonio Caprarica, sesa nga deklarimet e tij.
“Hedhim poshtë me vendosmëri çdo tentativë për të denigruar projektin televiziv të editorit Francesco Becchetti. Kërkesat e drejtorit jo vetëm janë dëgjuar por edhe plotësuar. Editori e ka ftuar shpesh të punësojë kolegë për të kompletuar organikën… Përshkrimi që Caprarica u bën ambjenteve tona të punës është folkloristic për të mos thënë grotesk. Në këtë pikë sfida jonë bëhet edhe më stimuluese”, thuhet ndër të tjera në replikën e ‘Agon Channel Italia’.
















