Deputetja demokrate flet për skandalin seksual të sekretarit të deputetit socialist të Sarandës
“Nëse e ka ditur dhe ka tentuar të mbyllë çështjen, siç kanë raportuar disa media, Kokëdhima duhet të japë dorëheqjen”, u shpreh deputetja demokrate, Mesila Doda lidhur me skandalin seksual të sekretarit të deputetit soiclaist Koço Kokëdhima. Në një intervistë për Gazeta Shqiptare, Doda shprehet se nuk ka forcë politike apo media që ta mbrojë deputetin kokëdhima, nëse është i përzierë apo ka tentuar të manipulojë drejtësinë. “Janë fakte që do duhet t’i mësojmë ditët në vazhdim, por deklarata e bërë prej tij lë një shije tejet të keqe tek flet për cilësitë njerëzore dhe profesionale të mostrës pedofil, që dhunon vajzat dhe gratë në emër të pushtetit që i ka deleguar vetë deputeti. Në shtator një lëvizje tjetër do nisë kundër çdo individi dhe fenomeni dhunues e kriminal dhe ky nuk do të jetë një aksion vetëm brenda mureve të parlamentit por shumë më gjithpërfshirës”, tha Doda. Sa I përket dhunimit të grave në Shqipëri, deputetja demokrate e cila është edhe kryetare e Aleancës së Grave, në Kuvend, u shpreh ka nisur një bashkëveprim i pazakontë, jo vetëm mes grave të politikës por shumë më gjerë. “Tash do duhet ta çojmë këtë bashkëbisedim dhe bashkëveprim në çdo lokalitet, sepse të mos harrojmë, atje konsumohet tragjedia e vërtetë me varfërinë dhe dhunën. Kjo do të thotë që një lëvizje kombëtare për ringritjen shpirtërore të shqiptarve do nisë nga gratë. Nga ana tjetër me fillimin e seisionit të ri parlamentar do jetë e nevojshme ngritja e komisioneve të monitorimit për raportimet dhe gjykimet për rastet e dhunës ndaj grave dhe vajzave. Do duhet të kryhet plotësimi urgjent i legjislacionit për trajtimin e viktimave dhe ndihmën që duhet të jepet për to me strehim, punësim dhe kredi preferenciale. Shpresoj që do jetë një frymë tjetër, një inspirim i veçantë nga të gjitha gratë deputete dhe jo vetëm, gratë që janë pjesë e pushtetit lokal, gratë pjesë e organizmave joqeveritarë, pra një lëvizje e madhe kombëtare pro-gruas që do mund të sjellë përmirësimin e klimës. Gratë që denoncojnë dhunën dhe dhunuesin si në rastin e fundit, do duhet të jenë të sigurta dhe të mbështetura, gratë viktima të dhunës duhet të kenë mundësi që të riintegrohen ne shoqëri. Së fundmi një thirrje njerëzore për gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që trajtojnë këto çështje, për të trajtuar me kujdes të veçantë këtë problematikë që do duhet të shpallet emergjencë kombëtare. Gruaja në këtë vend nuk mundet të jetojë për t’u sharë, për t’u dhunuar dhe keqtrajtuar, kemi nevojë për individë me dinjitet dhe për një ringritje morale kombëtare, kjo do nisë nga grate”, tha Mesila Doda.















