Kuvendi nisi seancën plenare të radhës me diskutimin e projektligjeve që lidhen me çështjen e pronësisë së tokës bujqësore.
“Përfundimi i procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, është pr/ligji që u diskutua në parlament dhe që trajton rastet kur komisioni i ndarjes së tokës bujqësore e ka ndarë atë, por nuk ka plotësuar aktet e marrjes së saj në pronësi për familjet bujqësore. Në asnjë rast, objekt i këtij pr/ligji nuk janë tokat bujqësore të pandara dhe as krijimi i titujve të rinj të pronësisë, por rregullimi i situatës juridike për familjet bujqësore apo individët, subjekte të përfitimit të tokës në pronësi, të cilët faktikisht e përdorin atë, por që për shkaqe të ndryshme, nuk janë pajisur me tituj pronësie.
Seanca e sotme e Kuvendit përfshiu gjithashtu diskutimin e disa pr/ligjeve të rëndësishme, si ndryshimeve në Kodin Rrugor, pr/ligji “Për disiplinën në ushtri”, ndryshimet në ligjin “Për Gjykatën e Lartë” apo ato në ligjin e ‘nëpunësit civil’.
Duke folur për pr/ligjin “Për disiplinën në ushtri”, Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli theksoi se përmes këtij pr/ligji forcohet integriteti i burrave dhe grave me uniformë.
“Pr/ligji për disiplinën ushtarake është përpjekje për të forcuar disiplinën bazuar në eksperiencat më të mira të vendeve aleate. Objekti i këtij ligji është përcaktimi i normave dhe rregullave të sjelljes dhe etikës së forcave të armatosura. Përmes këtij pr/ligji nuk po rrisim apo forcojmë dënimin për ushtarakët, por po forcojmë integritetin e burrave dhe grave me uniformë. Risitë e këtij pr/ligji janë të shumta dhe nisin që nga forma e deri tek përmbajtja e tij. Ndër shkeljet e reja disiplinore të parashikuara, përmendim shkeljet me karakter politik, në mbajtjen dhe përdorimin e informacionit, apo ngacmimet seksuale, një shkelje që gjendet e shkruar në të gjitha ligjet e vendeve anëtare të NATO-s.”- deklaroi ministrja Kodheli.
Sipas relatorit të pr/ligjit “Për disiplinën në ushtri”, deputetit Spartak Braho, objekt i draftit është përcaktimi i normave dhe rregullave të hollësishme të sjelljes e të etikës së ushtarakëve, i kategorive dhe llojeve të shkeljeve, masave disiplinore, si dhe i autoriteteve kompetente për dhënien e tyre. Po ashtu, pr/ligji parashikon dhe të drejtat e ushtarakëve në rastet e procedimeve disiplinore, si të drejtën për vënie në dijeni me shkrim për elementet e procedimit disiplinor të nisur ndaj tij; të drejtën që të dëgjohet nga autoriteti përgjegjës ose komisioni disiplinor përkatës, si dhe të drejtën që të parashtrojë prova dhe fakte në lidhje me pafajësinë e tij.
KODI RRUGOR, HAXHINASTO: RRISIM SIGURINË RRUGORE DHE RUAJMË RRUGËT
Lidhur me pr/ligjin për disa ndryshime në Kodin Rrugor, Ministri i Transportit Edmond Haxhinasto përmendi efektet pozitive që sipas tij, do të sjellë zbatimi i këtij ligji.
“Dëshiroj të përmend efektet kryesore që ka kjo paketë masash, ka efekt në kuadër të aftësimit të përdoruesve të rrugës. Do të kryhet kontrolli shëndetësor dhe psikik i personave që do të përdorin rrugën. Gjë që do të bëjë që siguria e atyre që e përdorin atë, aftësia e tyre të jetë shumë e lartë dhe e garantuar. Së dyti do të përmirësojmë sistemin e përgatitjes dhe të dhënies së lejeve të drejtimit, duke bërë efektiv sistemin me pikë që do të vendosë një përgjegjësi më të madhe nga përdoruesit e rrugës. Parashikohet të përmirësohet më teje dhe teknologjia e informacionit, për ta bërë procesin e marrjes së lejeve të drejtimit një proces që nuk mund të manipulohet nga askush. Kodi ka vendosur një kërkesë për përdorimin e ndenjësve të posaçme për fëmijët. Eshtë një set masash për të ruajtur siç duhet asetet mëdha që kanë rrugët e Shqipërisë, për t’i ruajtur rrugët ashtu siç duhet. Janë shtuar penalitetet për ata që ndërhyjnë në mënyrë të paligjshme në rrugë. Përsa i përket propozimit për makinat me timon në krahun e djathtë, duhet të përjashtojmë makineritë që përdoren për kantiere të caktuara për funksione të caktuara. Kjo paketë që miratohet sot do të jetë një kontribut shumë i rëndësishëm në funksion të përpjekjeve që jemi, duke realizuar për të rritur sigurinë rrugore dhe për të ruajtur rrugët”- deklaroi Haxhinasto.
Seanca e sotme do të mbyllet me interpelancën me Ministrin e Bujqësisë, Edmond Panariti mbi ecurinë dhe treguesit e procesit të subvencionimit të fermerëve.















