Libri i parë i reformës në sistemin e drejtësisë ka ardhur nga një gjyqtar dhe, sipas autorit Florjan Kalaja është vetëm dilema e parë, pasi do të pasohet nga botime të tjera të së drejtës kushtetuese
Në ambientet e Muzeut Kombëtar, gjyqtari Florjan Kalaja promovoi librin e tij të dytë “Dilema Kushtetuese I”. Ky botim vjen pas suksesit të librit të parë “Gjykimi në mungesë në procesin civil”. Ky është libri i parë i shkruar dhe botuar për reformën më të rëndësishme në vend, reformën në sistemin e drejtësisë. Në promovimin e librit ishin të pranishëm personalitete të larta të drejtësisë, politikës dhe aktorëve kryesorë, të përshirë në procesin e Reformës në Drejtësi. Në fjalën e tij, z. Enkelejd Alibeaj theksoi rëndësinë e punimit dhe këndvështrimin origjinal të gjyqtarit autor mbi reformën dhe kontributin real doktrinar në këtë proces. Kryetari i Gjykatës së Lartë z. Xhezair Zaganjori theksoi rëndësinë e librit për reformimin e gjykimit unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë dhe kontributin e tij në sqarimin e mekanizmit të komunikimit të gjykatave të brendshme me Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, sipas Protokollit nr. 16 të Konventës. Më tej, eksperti i nivelit të lartë të reformës në sistemin e drejtësisë z. Sokol Sadushi solli në vëmendje vlerën e çdo çështjeje kushtetuese të shtruar në libër, si dilemë për zgjidhje nga reforma në sistemin e drejtësisë. Librin dhe gjyqtarin e vlerësoi edhe ministri i Drejtësisë z. Ylli Manjani në fjalën përshëndetëse. Ai u shpreh se iniciativat e kontrollit kushtetues të sjella nga gjyqtari Florjan Kalaja kanë një vlerë të madhe në zhvillimin e drejtësisë kushtetuese në Shqipëri. Libri i parë i reformës në sistemin e drejtësisë ka ardhur nga një gjyqtar dhe, sipas fjalës së autorit Florjan Kalaja, libri është vetëm dilema e parë, pasi do të pasohet nga botime të tjera të së drejtës kushtetuese. Libri ka synuar të jetë skaneri kushtetues i projekt-amendamenteve kushtetuese dhe një paketë propozimesh dhe ndryshimesh mbi Reformën në Drejtësi. Gjyqtari autor i ka kushtuar një vëmendje të madhe në libër çështjes së vendimeve unifikuese si burim i së drejtës, reformimit të gjykimit unifikues dhe statusit juridik të këtyre vendimeve, duke konkluduar se shkarkimi i gjyqtarit të shkallës së parë dhe të apelit për shkak se nuk zbaton vendimin unifikues, vjen në kundërshtim me Kushtetutën. Për herë të parë pas hyrjes në fuqi të Protokollit nr. 16 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, gjyqtari Florjan Kalaja merr në analizë kritike përmbajtjen e këtij zhvillimi të së drejtës ndërkombëtare të Këshillit të Europës, duke analizuar dhe ngritur dilema kushtetuese europiane dhe shqiptare të mënyrës se si do të marrë jetë ky mekanizëm jurisprudencial. Në kreun e fundit, gjyqtari Florjan Kalaja kërkon t’i adresojë reformës në sistemin e drejtësisë ndryshime kushtetuese dhe ligjore në mënyrën se si është konturuar sot vendimi gjyqësor i formës së prerë. Autori u shpreh se libri synon jo vetëm të sjellë në vëmendje dilemat kushtetuese të Reformës në Drejtësi, por është përpjekur edhe t’i zgjidhë ato nëpërmjet propozimeve konkrete.



















