Partia Demokratike reagoi sot ndaj dhunës së ushtruar ndaj futbollistëve të kombëtares shqiptare në ndeshjen me Serbinë në Beograd.
Përmes një deklarate për mediet, deputeti Aldo Bumçi tha se PD dënon aktet e dhunës dhe shprehjet ksenofobe antishqiptare, dhe i bëri thirrje Beogradit që të distancohet nga ekstremizmi i shfaqur dje.
Bumçi e cilësoi dhunën ekstreme, një “rast të humbur” për të dëshmuar vizionin evropian të Serbisë, tifozët e së cilës treguan mosrespekt për himnin kombëtar që në nisje të ndeshjes.
“Ndeshja e futbollit mes kombëtares tonë dhe asaj serbe mbrëmë në Beograd ishte një rast i humbur nga fqinji ynë për të dëshmuar shkëputje nga ekstremizmi i dhunshëm i së shkuarës. Po ashtu, një rast i humbur për të dëshmuar vizion evropian dhe vullnet për të ecur përpara. Që në nisje, u tregua mosrespekt për himnin tonë kombëtar nga tifozeria serbe, u mbajtën kore raciste, dhe u manifestuan akte dhune ndaj përfaqësueses shqiptare.
Është për të ardhur keq që një ndeshje futbolli, e luajtur nga ana jonë me sportivitet, me fair-play dhe korrektësi maksimale, serbët e pranishëm në stadium e kthyen në një arene të betejës politike me djegien e flamurit të NATOS-s, e me lëshimin e mesazheve ksenofobe përmes thirrjeve anti-shqiptare”, tha Bumçi.
Më tej PD i kërkoi autoriteteve serbe, që të distancohen nga ekstremizmi i djeshëm, dhe të hetojnë rastet e agresionit në kundërshtim me rregullat e UEFA-s, për të vënë para ligjit përgjegjësit.
“I kërkojmë Beogradit të distancohet nga ekstremizmi i shfaqur dje, dhe të japë sot mesazhet e duhura për bashkëpunim, për fqinjësi të mirë, e për të ecur përpara në rrugën e integrimit europian. Ndërkohë, Partia Demokratike përgëzon lojtarët tanë të kombëtares, që shkuan në Beograd për të luajtur futboll, dhe ia dolën të mbrojnë deri në fund jo vetëm vlerat sportive, por dhe simbolin kombëtar”, u shpreh Bumçi.














