Urdhri i mbrojtjes së Liljana Rukos, vrarë nga bashkëshorti i saj tri ditë më parë ka çuar për hetim penal një gjyqtar dhe shefen e Përmbarimit në Fier.
Por rasti i Liljana Rukos nuk është i vetëm. Zyra e shërbimeve sociale në bashkinë e Fierit bashkë me urdhrin e mbrojtjes së Liljana Rukos ka marrë një ditë më parë ne dorëzim edhe një tjetër rast, me jo pak por katër muaj vonesë.
Rasti në fjalë është trajtuar nga gjykata e Fierit në muajin gusht, por nuk i ka shkuar shërbimeve sociale deri ditën e djeshme. Tani gruaja e dhunuar do të merret në trajtim nga shërbimet sociale në Bashki ashtu si do të ndodhte edhe me Liljana Rukon, nëse urdhri i mbrojtjes së saj mbërrinte në kohë pranë institucioneve.
Urdhri i mbrojtjes së muajit gusht për një tjetër grua të dhunuar është dhënë nga i njëjti gjyqtar Ergys Selmani. Ky i fundit po hetohet për shpërdorim detyre pas sekuestrimit të dosjes së Liljana Rukos.
Bashkë me gjyqtarin po hetohet edhe Lindita Shabani, shefe e Përmbarimit e cila pretendon se e ka marrë urdhrin në kohë, por ka harruar ta protokollojë dhe zbatojë. Hetimi ka nisur pas vrasjes së Liljana Rukos nga bashkëshorti i saj të shtunën që shkoi.
Ferdinand Ruko e hodhi 43 vjeçaren nga kati i katërt. Viktima ishte me urdhër mbrojtjeje nga gjykata, por jetonte në një shtëpi me dhunuesin e saj. Pas ngjarjes rezultoi se nuk kanë funksionuar mekanizmat rehabilitues sepse nuk ishin njoftuar.






















