Kopshti ‘Diren’ ku u filmua dhuna e administratores Anjeza Shabani ndaj një fëmije 3 vjeç, rezulton që është i palicensuar.
Kështu deklaroi sot ministrja e Arsimit Lindita Nikolla duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve. Por, në një moment ajo u shfaq e revoltuar, madje duke i kërkuar edhe llogari gazetares për pyetjen.
Gazetarët e pyetën se cilat janë kriteret që duhet të përmbushin kopshtet për t’u licencuar, por ministrja iu shmang përgjigjes në transmetim direkt. Sapo kamerat u fikën, ajo iu kthye gazetares që bëri pyetjen duke i thënë përse e kishte pyetur për diçka të tillë.
“Doja të dija kriteret që duhet të plotësohen që këto institucione duhet të marrin licensat”, i përgjigj gazetarja.
Ministrja vazhdoi replikën e saj me gazetaren duke i thënë: “Është njësoj sikur të pyes unë sesa është numri i gazetarëve në punë, nëse janë të diplomuar apo jo…”















