E zënë ngushtë nga gazetarët, Lindita Nikolla bëri disa tentativa për ta hequr përgjegjësinë nga dikasteri që drejton dhe institucionet e vartësisë për dhunën çnjerëzore që administratorja e kopështit “Diren”, Anjeza Shabani, ushtroi ndaj një fëmije 3 vjeç.
Së pari, Ministrja e Arsimit ua hodhi fajin prindërve që çojnë fëmijët në kopështe pa licensë, a thua se prindërit janë inspektorët që duhet të rrëmojnë nëpër dokumentat e këtyre institucioneve. “Ne nuk mund të trokasim pas çdo porte që qëndron e mbyllur në një mjedis privat. Janë prindërit ata që duhet të evidentojnë se ku i çojnë fëmijët e tyre”.
Së dyti, ajo iu hakërrua një gazetarje të ABC Neës për pyetjen që i bëri për mungesën e kontrolleve. “Sa ka që hiqen si gazetar, kush e di nëse ata kanë diplomë apo jo”, iu drejtua ajo gazetares, në tentativën për të justifikuar mungesën e kontrolleve të Ministrisë së Arsimit në kopështe e shkolla.
Së treti, për të treguar që Ministria e Arsimit i ka përmbushur detyrat, ministrja tha se “nga inspektimet më të fundit të zhvilluara nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit ka gjobitur dhe mbyllur 20 kopështe private”.
Por një dokument i siguruar nga Gazeta Shqiptare e nxjerr bllof ministren e arsimit që tentoi t’i fshihej përgjegjësisë. Ky dokument vërteton se Inspektoriati Shtetëror i Arsimit, për vitin 2016 ka planifikuar inspektime të plota vetëm në 6 kopështe. Kontrollet do të kryheshin në përiudhat janar – prill dhe tetor – dhjetor.
Për inspektimet tematike dhe ato të orientuara nuk është parashikuar asnjë lloj kontrolli në kopështe. Dokumenti flet vetëm për 3 inspektime të kryera në kopeshte deri në muajin korrik.
Kjo shifër dëshmon se sa prioritet i ka Ministria e Arsimit kontrollet e kopështeve e shkollave. Ajo është përgjigjja më e mirë që mund t’i jepet deklaratës së ministres se “ministia nuk mund të trokësë pas çdo porte që qëndron e mbyllur në mjedis privat”. Aq më tepër kur kopështi “Diren” kishte mbi 1 vit që e ushtronte aktivitetin dhe kishte shenja dalluese të qarta në muret e ndërtesës, për t’i parë jo vetëm inspektorët e arsimit, por edhe ata të tatimeve, të bashkisë e të tjerë institucione që kanë për detyrë kontrollet e këtyre aktiviteteve.
Ministrja e Arsimit tha se do të nisë një inspektim kombëtar nëpër institucionet parashkollore private, në një tjetër tentativë për të hequr nga vetja barrën skandalit që u zbulua nga emisioni “Stop” dhe që mund të ishte parandaluar nëse institucioni që ajo drejton do të kishte funksionuar. Videoja e skandalit, deklaratat e ministres dhe dokumenti i Inspektoriatit Shtetëror të Arsimit janë dëshmi e forte se të paktën në 3 vitet e fundit, Ministria e Arsimit as që i ka patur prioritet kontrollet në këto institucione arsimore.















