Autoritetet greke kanë publikuar sot identitetin dhe fotot e 16 shqiptarëve, mes tyre 3 femra dhe një shtetas grek, pjesëtarë të një bande, që dyshohet se ka kryer dhjetëra grabitje në Athinë.
Bëhet fjalë për Arben Malon, Thoma Priftin, Kliton Lapin, Mirel Nelaj, Toni Lapi si dhe Spartak Hazizajn.
Mediat helene raportojnë se pjesëtarët e bandës kriminale u arrestuan më 18 maj dhe akuzohen për më shumë se 33 grabitje. Mosha e shqiptarëve të arrestuar është nga 22 deri në 51-vjeç, ndërsa shtetasi grek është 41-vjeç.
Dyshohet se grupi kriminal është përgjegjës edhe për vdekjen e një 84-vjeçareje, të cilën e goditën me grushti në momentin që ajo i pikasi gjatë vjedhjes.
Ndërkohë, policia greke deklaroi ditën e arrestimit se anëtarët e bandës i zgjidhnin me kujdes banesat që grabisnin dhe pasi hynin brenda të maskuar, dhe nuk ngurronin të ushtronin dhunë ndaj kujtdo që tentonte t’i pengonte.
Po ashtu, raportohet se kreu i organizatës dyshohet se është 51-vjeçari shqiptar nga Fieri, i dënuar më parë.
Mediat greke raportuan se nga kontrollet e kryera në banesat e të arrestuarve u gjetën dhe sekuestruan sasi të mëdha sendesh të vjedhura, pajisje shtëpiake, 2 armë zjarri, 5 thika, 6 automjete si dhe 2 motoçikleta.
Hetimet janë ende në vijim për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.















