Të tjera detaje të rënda dalin në dritë nga ngjarja në Tiranë, ku një 65-vjeçar dhe 3 të rinj kanë abuzuar seksualisht me një 15-vjeçare.
65-vjeçari me inicialet A.D., jetonte në njëjtën lagje me 15-vjeçaren dhe për një kohë të gjatë e përndiqte duke i thënë se do t’i shkruante ne muret e lagjes emrin e saj dhe fjalë ofenduese për të në rast se ajo nuk kryente marrëdhënie seksuale me te.
“Je ku**ë nëse nuk bën seks me mua”, mësohet t’i ketë thënë ndër të tjera i moshuari të miturës. Kjo e fundit, nën presion dhe kërcënimet e vazhdueshme, ka kryer marrëdhënie seksuale me 65-vjeçarin, i cili e ka filmuar. Filmimin ua ka dhënë dhe 3 personave të tjerë, konkretisht K.P., 20 vjeç, R.O., 16 vjeç dhe F. B., 15 vjeç, në po të njëjtën lagje, të cilët abuzuan seksualisht me te miturën pasi e shantazhonin me publikimin e videos.
65 vjeçari që abuzoi me të miturën në Tiranë dyshohet të ketë ngacmuar edhe vajza të tjera të moshës së saj në zonën e njohur si “Bregu i Lumit” në kryeqytet
Ai ka qenë roje në një shkollë në zonë disa kohë më parë, ndërsa tani nuk ndodhej më në këtë detyrë. Abcnews.al ka siguruar dëshminë e dhënë nga vajza 15 vjeçare, e cila thekson se 65 vjeçari e kishte ngacmuar që kur ishte në shkollë.
Madje sipas saj, ai kishte ngacmuar edhe vajza të tjera të mitura teksa kryente detyrën e rojës së shkollës.
“Më ka fiksuar që kur isha në shkollë. Më ngacmonte edhe atëhere”, mësohet të jetë shprehur e mitura para oficerëve të policisë gjyqësore në prani edhe të psikologes.
Ngjarja u denoncua në polici pasi prindërit e vajzës mësuan mbi abuzimin ndaj saj duke shkuar menjëherë në rajon.
Policia është duke hetuar mbi raste të tjera të ngjashme abuzimi nga 65 vjeçari nisur edhe nga deklaratat e të miturës se si ngacmonte edhe vajza të tjera.