Prokuroria e Durrësit dërgon për gjykim kërkesën ndaj shtatë zyrtarëve të komunës Rrashbull, pasi akuzohen për “shpërdorim në detyrë”, në dhënien e lejeve në mënyrë të jashtëligjshme.
Zyrtarët e komunës kanë dhënë leje ndërtimi në brezin e rërës në zonën e Shkëmbit të Kavajës.
Pas hetimeve të kryera nga prokuroria e Durrësit, rezulton se zyrtarët e komunës, të gjithë anëtarë të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Komunës, kanë dhënë leje në të paktën 16 raste në mënyrë joligjore, me pasoja të rënda për territorin dhe mjedisin.
Katër prej këtyre zyrtarëve, përfshirë edhe kryetarin e Komunës, janë hetuar në masë sigurie “arrest me burg”, e dhënë ndaj tyre në muajin Korrik të vitit 2014.
Prokuroria ka deklaruar se zyrtarët e komunës Rrashbull kanë konsumuar elementët e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”.
Shtatë zyrtarët e komunës Rrashbull, të akuzuar nga prokuroria janë:
1. Hysen Gashi, Kryetar i Komunës Rrashbull
2. Viktor Ndreka, Drejtues i Njësisë së Urbanistikës
3. Vasil Gjoni, anëtar i KRRT, Komuna Rrashbull
4. Sabri Troci, anëtar i KRRT, Komuna Rrashbull
5. Erifili Theollari, anëtar i KRRT, Komuna Rrashbull
6. Nevjana Isufi, anëtar i KRRT, Komuna Rrashbull
7. Fatjon Aliaj, anëtar i KRRT, Komuna Rrashbull
















