“Gjendja më e rëndë për momentin është në regjionin e Gjakovës, të Pejës, mund të rrezikohet edhe rajoni i Prizrenit por për momentin gjendja më e rëndë është në Gjakovë për shkak të lumenjve të cilët janë afër daljes nga shtrati. Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim është e gatshme të shpall një gjendje për të rritur nivelin e gatishmërisë në shkallën e tretë për shkak se rrezikohen disa shtëpi banimi , rrezikohen edhe urat rrugët”, bëri të ditur Sejdiu.
Ai thotë se për këtë situatë, kanë bërë një paralajmërim të hershëm për mbrojtjen e mjedisit e cila, siç u shpreh ai, tregon se zonat potencialisht që mund të përfshihen nga vërshimet në Kosovë janë Peja, Gjakova, Prizreni, Mitrovica, deri afër Prishtinës.
“Pritet që reshjet të vazhdojnë edhe ditën e nesërme me intensitet pak më të vogël por rreziku do të jetë sot dhe gjatë orëve të mbrëmjes”, shtoi ai.
Sejdiu po ashtu njoftoi se Komunat e kanë ngrit nivelin e gatishmërisë dhe janë në gjendje gatishmërie.
“Ndoshta do të kemi fat që të mos të reagojmë por sidoqoftë ne e kemi përcjell këtë informacion dhe komunat me ekipet e tyre janë të gatshme”, tha ai ndër tjerash.






















