Diplomati amerikan tha se ai ishte i bindur se e ardhmja e Kosovës varet nga ajo që të gjithë duhet të punojnë së bashku.
“Në integrimin e të gjitha komuniteteve, duke pranuar se Kosova është një shoqëri multietnike dhe që gjithmonë do të jetë kështu, ku komunitetet pakicë ndihen si në shtëpi”, ka thënë Delawie.
Ai përsëriti se SHBA mbështet transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës.
Sipas tij, marrëveshja për demarkacionin e vijës kufitare me Malin e Zi është e mirë dhe duhet të votohet nga të gjithë parlamentarët, pavarësisht se cilës parti i përkasin.
“Në thelb ratifikohet kufiri që ka ekzistuar në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, kur Kosova ishte krahinë në vitin 1974. Kjo është ajo që është e përfshirë në Kushtetutën e Kosovës. Kjo është në Planin e Ahtisaarit, ashtu që që vija kufitare që nxorri Komisioni është e përkryer. Mendoj se parlamenti duhet të votojë për miratim dhe mendoj se deputetët duhet t’a mbështesin atë”, tha diplomati amerikan.
Duke folur për Gjykatën Speciale për krime lufte të supozuara, Delawie tha se ky është hap më afër Evropës dhe se është e nevojshme që të sqarohen ngjarjet fatkeqe që kanë ndodhur gjatë luftës.
“Kjo nuk është një përpjekje që të nënvlerësohet lufta çlirimtare apo ndonjë çështje tjetër politike. Kjo është një çështje e sundimit të ligjit dhe unë jam i bindur se Gjykata do të merret në mënyrë të duhur me të”, ka thënë Delawie.























