Rreth orës 15:30 vendore në Tiranë, deputeti Tom Doshi doli nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ku u paraqit për të shpjeguar rastin e dyshimeve për vrasjen e tij dhe të një deputeti tjetër, Mhill Fufi i Partisë Demokratike.
Zoti Doshi nuk bëri komente pasi doli nga ndërtesa ku hyri rreth orës 09:25 minuta për të biseduar me prokurorët.
Deputeti i përjashtuar nga Partia Socialiste, Doshi, akuzon kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta për urdhërdhënie dhe pagim për vrasjen e tij dhe të zotit Fufi.
Thirrja iu bë deputetit Doshi nga prokurorët Manjola Hasa dhe Përparim Kulluri një ditë më parë.
Kurse, Kryeprokurori Adriatik Llalla premtoi të japë shpjegime mbi çështjen “Doshi” kur të kthehej në Tiranë nga Fieri ku ndodhej mesditën e së enjtes.
“Ajo çështje i përket Tiranës, kur të kthehemi atje do të jap shpjegime të mëtejshme”-u tha zoti Llalla mediave në Fier dhe në Elbasan ku prezantoi prokurorin Eugen Beçi, i përfshirë në rastin “Doshi” si një prej komplotuesve.
Një ditë më parë mministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha se gjithçka është skenar i ndërtuar nga zoti Doshi.
Partia Demokratike dhe opozita kërkojnë dorëheqjen e zotit Meta dhe përballjen me drejtësinë e në rast pafajësie, rikthimin në detyrën e Kryetarit të Kuvendit.
















