Ish-kryeadministratori dhe dikur ministër i jashtëm i Francës është konfrontuar ashpër në një debat në France 2 së fundi kur ka folur për Kosovën.
Gazetari që ka mbuluar luftën në Kosovë, Aymeric Caron i ka thënë Kouchnerit se Kosova është shtet i dështuar dhe mafioz dhe për krerët e saj ka akuza për trafikim organesh.
“Ju jeni i sëmurë”, i ka thënë mes tjerash Kouchner duke iu përgjigjur. “Si mund të imagjinoni trafikim organesh në një vend ku spitalet nuk kanë pasur rrymë?”, thote i nervozuar Kouchner, raporton Interaktiv në KTV.
Ai shtoi se ishte vetë Parlamenti kosovar që kërkoi hetime pas raportit të Këshillit të Evropës.
Gazetari Caron ka ngritur pikëpyetje për nevojën e bombardimeve në vitin 1999, dhe madje ka pohuar se përveç Putinit këtë e kundërshtonte edhe Ibrahim Rugova.
“Kjo nuk është aspak e vërtetë. Ne kemi intervenuar sepse në Kosovë zhvilloheshin masakra kundër popullatës civile. Të gjithë kanë qenë pro sepse kishte luftë permanente kundër shqiptarëve të Kosovës. E kemi bombarduar Serbinë dhe mirë kemi bërë. Nuk është e vërtetë që Rugova ka qenë kundër, përkundrazi, ka qenë i pari që fuqishëm na ka përkrahur për bombardime. Pala kosovare ka qene unanime për intervenim”, tha ish-kryeadministratori, transmeton Koha.net.
Sipas Kouchner, Putinin Perëndimi e kishte paralajmëruar se nuk do të lejonin largimin masiv të shqiptarëve dhe vazhdimin e torturave dhe masakrave.
Diplomati francez ishte në emisionin e “France 2” për të promovuar librin e tij.
















