Ballafaqimi me realitetin, mashtrimet aktuale në politikë e në shoqëri, janë vetëm njëra anë e asaj që trajton shfaqja “Dashnori i nënës sime”.
Periudha e transicionit, problemet gjinore, roli i gruas dhe i burrit brenda shtëpisë dhe jashtë saj, problemet me komshinjtë, janë të tjetra. Edhe dashuria që nuk vdes kurrë, pavarësisht moshës është aty. Kjo shfaqje me tekst të Adem Mikullovcit vjen nën regji të Iliriana Arifit. “Dashnori…” , një shfaqje e zhanrit komedi, sonte (e mërkurë) do të jepet premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Në shfaqje bashkë me Mikullovcin në skenë rikthehet aktorja veterane Leze Qena. Kastën e kompletojnë edhe Sheqerie Buqaj, Shpëtim Kastrati, Ylber Bardhi, Florentina Ademi, Makfire Miftari dhe Basri Shala.
Detaje rreth shfaqjes u dhanë të martën në një konferencë për media. Mikullovci nuk ka folur shumë për të. Sipas tij, vlerësimi i takon publikut. Ka folur për aty ku u lind “Dashnori…”, shkruan sot më gjerësisht Koha Ditore.

















