Komisioni i Ekonomisë miratoi rritjen e akcisës për duhanin. Për cdo paketë të importuar, do të paguhet 20 lekë më shumë.
Aktualisht, për një paketë cigare paguhen 90 lekë akcizë, ndërsa me ligjin e ri do të paguhen 110 lekë. Ligji do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2015.
Mazhoranca në këtë komision miratoi edhe një tjetër ndryshim në këtë ligj. Një nen i posaçëm i detyron importuesit që deri në hyrjen në fuqi të ligjit, të mos importojnë sasi më të mëdha se 15 % e mesatares mujore të vitit paraardhës.
Shkak për këtë ndryshim është bërë precedenti i krijuar në vitin 2013. Në tre-mujorin e fundit kompanitë rritën ndjeshëm importin e mallrave me akcizë, kryesisht cigareve, pasi mësuan që qeveria po përgatiste rritjen e nivelit të akcizës për këto produkte.
Në këtë mënyrë, sasitë e cigareve të blera para rritjes së akcisës, importuesit e shitën pas janarit të këtij viti me çmimet e akcizës.
Dhjetorin e vitit 2013 u importuan rreth 98% më shumë cigare se të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e akcizës së cigareve do të vijojë edhe në vitin 2016 dhe 2017.
Sipas përfaqësuesve të qeverisë, kjo rritje ka për qëllim uljen e përdoruesve të cigareve dhe të sëmundjeve që shkaktohen nga duhani.















