Inskenimi dhe më pas përpjekja për të korruptuar efektivë të policisë italiane, i ka kushtuar lirinë një 31-vjeçari shqiptar.
Ngjarja ka ndodhur të hënën përgjatë autostradës “Aurelia”, në afërsi të Ladispoli, Romë, gjatë një kontrolli rutinë të policisë.
31-vjeçari me iniciale K.M., rezident në Itali, gjatë kontrolleve të efektivëve i ka sulmuar ata verbalisht, dhe më pas telefonoi shërbimin e ambulancës duke pretenduar se ishte dhunuar nga policët.
Madje, kur mbërriti në vendngjarje autoambulanca, ai u hodh për tokë, duke thënë se u sulmua nga agjentët e policisë, raportojnë sot mediat lokale, shkruan Syri.net.
Autoambulanca nuk kishte një mjek në bord, dhe 31-vjeçari u transportua në spitalin “San Paolo” në Civitavecchia.
Pasi mbërriti në spital, shqiptari e kuptoi se kur ta vizitonte mjeku, do ta kuptonte se ai nuk kishte asnjë lëndim. Dhe kështu, ai iu afrua njërit prej “karabinierëve” dhe i ofroi 100 euro. Ky i fundit, i referoi gjithçka eprorit të tij, i cili iu afrua shqiptarit për ti kërkuar shpjegime.
Por, shqiptari i ofroi edhe atij 200 euro në këmbim të heshtjes. Dy efektivët arrestuan shqiptarin për tentativë ryshfeti, dhunë dhe rezistencë ndaj zyrtarëve publik.














