Nga Naum Mara
Tani që duket se ka kaluar përmbytja nga lumenjtë, me të gjitha çka shkatërron e merr me vete (mirë që ne nuk kemi parti të quajtur “Lumi” si në Greqi, se parti lumëmëdha kemi), sipas mediave shqiptare, duket që në vend ka vetëm dy probleme: Atentatet me tritol dhe ambasadori i Vatikanit. Të duket se po i zgjidhëm këto dy probleme kaq të mprehta, gjithçka mund të shkojë lehtë deri në fillimin e fushatës elektorale ose asaj të supersharjeve.
Mediat shqiptare janë gjithnjë e më të varura dhe ato pak gazeta apo portale që duken më të ndershme dhe të pavarura, vrapojnë pas asaj çka sjell zhurmë dhe diskutime.
Rasti i Zhitit është më tipiku. Nuk mbeti politikan pa folur dhe analist pa shkruar, a thua se po të fillonte punë poeti dikur i persekutuar në Selinë e Shenjtë, të paktën probleme fetare, probleme mes Presidentit dhe Kryeministrit apo problemet ndërkombëtare, që janë në dorë të Vatikanit nuk do i kishim më. Një zhurmë boshe, që më shumë dëm se kujtdo, i sillte të shkretit Zhiti tashmë në zi, por që edhe ai nuk diti sesi t’i shmangte. Të gjithë politikanëve shqiptarë, në pushtet apo në opozitë, iu pëlqejnë këto lloj rrëmujërash. Ata nuk duan të flitet për gjendjen ku ka shkuar ekonomia në këto 5 vjet, nuk duan të hapen rastet e vjetra dhe të reja të korrupsionit, duan të harrohen krimet e 20 viteve të fundit, duan të mos analizohet thellë se cilët janë shkaktarët e shkatërrimit të shoqërisë shqiptare. Mediat, me qëllim apo edhe nga vrapimi pas gërrmëreve mbajnë avazin e tyre.
Rasti i atentateve të realizuara apo të parealizuara me tritol ndryshon shumë nga rasti Zhiti, por dhe ai paraqitet vetëm nën këndvështrimet e politikanëve, që akuzojnë njëri-tjetrin për implikim, pa patur asnjë fakt dhe pa dëshmuar në organet që duhet të merren me këto punë. Korit, sot i ishte bashkuar edhe Kryegjyqtari Zaganjori, i cili bënte një krahasim aspak të logjikshëm mes një shteti ku nuk sigurohet rendi dhe Diktaturës (Një rast tjetër i një njeriu të drejtësisë, që duhet të dijë se kur të flasë dhe çfarë thotë). Të tjerë bëjnë paralele me vitet e Plumbit në Itali. Dhe përsëri mund të them se zhurma me tritol më shumë iu intereson politikanëve shqiptarë dhe mediave të lidhura haptazi me ta. Atentatet me tritol nuk iu ngjasin aspak atyre të kryera në Italinë e viteve ’70. Ajo ishte një luftë mes dy ekstremeve politike, në të cilët përziheshin edhe segmente të shërbimeve të fshehta, për të lëkundur republikën jo të fortë italiane. Krahu i Majtë me idenë e nxitjes së një Revolucioni Proletar, ndërsa ai i Djathtë, për të rikthyer Diktaturën Fashiste. Përpjekjet me tritol në Tiranë ose edhe në qytete të tjera nuk kanë asnjë motiv ideologjik. Për më tepër, qytetarët e thjeshtë nuk ndjehen të kërcënuar prej tyre. E dinë, që në rastin më të keq, janë kërcënime të mafiozëve, të cilët i njeh kushdo, ndaj njerëzve të Rendit, që në një mënyrë apo tjetër janë pjesë e “çorbës së qelbur”, të krim-politikës në Shqipëri.
Pasi të kalojnë edhe disa ditë, të tjera “probleme fishekzjarre” do debatohen në mediat shqiptare, duke iu ndenjur larg raportimeve investigative, analizave politike-ekonomike apo nismave moralo-shoqërore, për të cilat ka aq shumë nevojë Shqipëria. Është koha që gazetarët të vihen në pararojë të shoqërisë shqiptare për të kërkuar ndryshime rrënjësore. Pushteti i Katërt është i vetmi që nuk mund të ndryshohet as me ligje dhe as me reforma. Ndryshimin e kanë në dorë vetë ushtarët e këtij pushteti- gazetarët.
















