Lidhur me atë që ka ndodhur mes negociatorëve të tre palëve në orët e para të mëngjesit po krijohet një kakofoni e vërtetë. Basha akuzon Ramën se e prishi marrëveshjen e arritur i influencuar nga klanet e drogës dhe se nuk do që votat e opozitës të renditen pro reformës.
LSI duket së është më pranë versionit të opozitës.
Ndërsa Rama, i mbetur më vetëm e akuzoi Bashën se do të kapërcejë vijën e kuqe që kanë caktuar ndërkombëtarët. Të gjithë bërtasin se hajduti duhet të kapë hajdutin.
Por për të hedhur pak më shumë dritë Lapsi. al është përpjekur të “zbulojë” të vërtetën duke u ballafaquar në qëndrime e të gjitha palëve.
Mësohet se deri në ora 2 të mëngjesit të së martës ekspertët kanë qenë thuajse dakord madje edhe kanë hartuar një projekt final gati për votim.
“Dje palët arritën një marrëveshje për draftin kushtetues. Kur kjo marrëveshje po shkruhej dhe po bëhej gati për firmë ka ndodhur gjeja më absurde e prishjes së rënë dakord me një qëllim për prishjen e konsensusit në parlament” ka treguar më pas Basha
Por sipas disa burimeve në këtë pikë njerzit e PS –janë tërhequr me telefon nga Rama. Ndërsa sipas të tjerëve ka qenë një nga ekspertët ndërkombëtarë që ka rrëzuar gjithçka?
Çfarë ka ndodhur?
Si gjithnjë sheri ka mbetur në pikën se sa kompetenca do të ketë komisioni ndërkombëtar i vetingut, pra ata që do të kalojnë në sitë pastërtinë e prokurorëve dhe gjykatësve.
Socialistët i kanë lënë dorë të lirë ShBA dhe BE në këtë pikë.
Opozita kërkon ti vërë kufizime. Një nga kufizimet ka qenë ai i artikuluar nga Oerd Bylykbashi, që nuk do ti lejojë ekspertëve ndërkombëtarë ti heqin pa arsye të drejtën e konkurimit gjykatësve dhe prokurorëve vetëm se ashtu u mbushet mendja atyre.
“Këtu kemi të bëjmë me dinjitetin dhe jo me sovranitetin tonë. Po ashtu mendoj se jemi një vend që duhet të bëjë një proces dinjitoz për reformën në drejtësi. Modelet që ne duhet të shmangim janë modelet e shteteve si Ruanda, Timori Lindor, Kolumbia, Sudani Jugut” u shpreh deputeti i PD duke zbuluar atë që ka ndodhur një natë më parë gjatë negociatave.
Përpos kësaj frike se mos ndërkombëtarët na trajtojnë si Timori Lindor, opozita ka edhe një kleçkë të dytë: mënyrën si do të rregullohet me ligj prania e komisionit të vetingut në Shqipëri. Një ditë më pas Bash ka treguar se përse përfaqësuesit e PD nuk rana dakord me formulimet që iu ofruan.
Dhe pas kësaj ai akuzoi Edi Ramën se nuk e do konsensusin me PD-në prandaj e prishi atë.
Nga ana e tij Rama, me sa duket jo shumë krenar për mënyrën se si ka tërhequr ekspertin e tij Agaçi nga bisedimet, qe i kursyer për detajet se si u prish marëveshja e orëve të para të mëngjesit. Ai u mbajt vetmë me shpjegimin politik se PD nuk e pranon vetingun e ndërkombëtarëve. “Një odise e gjatë negociatash me PD që ndali në orën 3.00, por këtë herë edhe me ekspertët e Euralius dhe Opdat. Është realizuar një progress i mirë në disa aspekte teknike, por vija e kuqe e SHBA e BE ka rezultuar e pakapërcyeshme, për të hequr nga projekti operacionin ndërkombëtar të monitorimit”.
Rama u mjaftua me kaq dhe ai mund të mbante në shpinë skeptrin e fajtorit të orës 3 të mëngjesit sikur në krah të tij të mos kishte dalë në mitingun me disa aktivistë të shoqërisë civile ambasadori Lu. Diplomati i dha të drejtë Ramës dhe me një fjalim të fortë, gati arrogant, vuri gishtin mbi Bashën si njeriun që nxherr sebepe për të mos pranuar konsensusin. Dy javë më parë, dëgjova me zë të fortë nga Basha dhe Bylykbashi se nëse e zgjidhnim paragrafin 88, ata do ta votonin reformën që të nesërmen.
Më 9 korrik e zgjidhëm paragrafin 88. Në fund, Rama u dorëzua dhe u ofroi atyre saktësisht atë që Basha kishte kërkuar, një proces përzgjedhjeje të quajtur 6 plus 6.
Por kjo nuk mjaftonte. Tani, për herë të parë, ata thonë se për shkak të sovranitetit kombëtar, nuk mund të pranojnë që të huajt të bëjnë vlerësimet për kualifikimet e komisionerëve.
Epo kjo është e çuditshme. Më 19 maj Basha na tha ne dhe Ambasadores Vlahutin se të huajt ishin të vetmit persona që mund ta pastronin peshkun nga koka. U tha të njëjtën gjë edhe deputetëve të PE-së, Kukan dhe Fleckenstein. Bylykbashi e përfshiu këtë në mënyrë të qartë në propozimin e tij zyrtar, të shkruar, që na dërgoi. Tani papritur po ndryshojnë qëndrimin e tyre.
Përse? Njerëz të fuqishëm kanë frikë. Qytetarët po kërkojnë ndryshim. Është koha për të vendosur”.
Qe kjo ndërhyrje e Lu disa orë pas mosarritjes së konsensusit që zbardhi edhe njëherë se kë bënte fajtor selia e rrugës së Elbasanit për bisedimet e natës së mëparshme.
Ndoshta PD, i kishte të argumentuara pretendimet e saj, ndoshta verejtjet se askujt në këtë vend nuk mund mund ti hiqet e drejta e konkurimit pa argumenta qëndrojnë, por me sa duket tani çdo pretendim i ri që del nga selia blu, konsiderohet si sebep fallco nga amerikanët.
Lu tregoi edhe njëherë se ai është aleat me qëndrimet e Ramës në këtë çështje dhe e vetmja shpresë e vogël që u mbetet demokratëve ta fitojnë këtë betejë publikisht është mjaft e vogël. Ata duhet të arrijnë diku më lart se ambasadori në Tiranë të vërtetojnë se ai është palë. Këtë lojë PD e ka luajtur disa herë në vitet e fundit, por gjithnjë pa sukses.























