Gurët e çmuar të Trepçës që shpesh u jepte miqve të huaj në formë dhurate, i kishte shumë për zemër ish-presidenti Ibrahim Rugova. Një i tillë zinte vend të rëndësishëm në Rezidencën e tij.
Një praktikë të ngjashme e ka përdorur në disa raste edhe presidentja Atifete Jahjaga. Herën e fundit, një gur të çmuar të Trepçës ia dhuroi Papa Françeskut në Vatikan.
Pas interesimit të RTK-së, zyra e Presidentes së vendit e konfirmon se gurët e tillë janë nxjerrë nga miniera e Trepçës. Presidenca tha se kompania kontraktuese ka për detyrë furnizimin e këtij institucioni me gurë të tillë.
Në përgjigjen zyrtare, Presidenca shpjegon se vlera për një gur të çmuar me madhësi mesatare, nga ky institucion paguhet nga 18 deri 120 euro.
Presidenca nuk shpjegoi se sa është sasia e gurëve të blerë, por pavarësisht kësaj, gurët e Trepçës mbesin edhe më tej ndër më të lakmuarit nga shumëkush.
















