Çështja çame, marrëveshja e kufirit detar, emërtesat në pasaporta, ligji i luftës janë temat që zënë vend në paraqitjen e ambasadorit Dashnor Dervishi përpara Komisionit të Jashtëm të Kuvendit
Ambasadori shqiptar në Greqi, Dashnor Dervishi deklaroi se vendi ku shërben duhet të anullojë ligjin e luftës me Shqipërinë.
Zoti Dervishi është duke raportuar në Komisionin e Jashtëm të Kuvendit mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë.
Çështja çame, marrëveshja e kufirit detar, emërtesat në pasaporta, ligji i luftës janë temat që zënë vend në fjalët e ambasadorit.
“Çështja çame nuk është më tabu si më përpara”-tha zoti Dervishi duke iu referuar shqiptarëve etnikë të dëbuar dhe masakruar në krahinën e madhe të Shqipërisë së Jugut, Çamëri (u aneksua nga Greqia pas Konferencës së Londrës të vitit 1913).
Ambasadori theksoi gjithashtu se marrëveshja e kufirit detar që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në Tiranë shkaktoi pështjellim në Greqi, ku siç tha “opinioni publik grek u fry nga qarqet ekstremiste”.
Sipas zotit Dervishi, marrëdhëniet shqiptaro-greke janë “shumëdimensionale”, ndërsa “pas marrëveshjes për kufirin detar pati ngrirje dhe luhatje”.
Për emërtesat në pasaporta apo ndryshe si çështja “toponime”, zoti Dervishi tha se Shqipëria e kishte lënë pas dore Greqinë duke thënë se “ishte kërkesë e disa viteve më parë që ne e neglizhuam”.
Greqia nuk lejon (ka një marërveshje deri në 31 dhjetor 2014 për udhëtim me formatin e lejeve të festave fetare) që shqiptarët të kenë në pasaporta emërtesat në shqip, përkatësisht duke mos njohur emrat e qyteteve etnikë shqiptarë të Çamërisë për shembull “Margëllëç”, por “Margariti” apo “Selanik” dhe jo “Thessaloniki”.
















