Deputetja demokrate Jorida Tabaku analizoi buxhetin e vitit 2015, duke thënë rritja e taksave do të japë efekt negativ mbi popullsinë. Ajo tha se mazhoranca aprovoi buxhetin i cili për vitin e ardhshëm do t’i marrë qytetarëve 460 milionë dollarë taksa. Tabaku u shpreh se buxheti është i ndërtuar në mënyrë të tillë që barra më e rëndë fiskale të bierë mbi qytetarët konsumatorë që njësoj si këtë vit do të vuajnë akoma më shumë rënien e konsumit dhe rritjen e çmimeve. “Ky buxhet, nuk mendon për qytetarët sepse nga ky buxhet janë ulur apo hequr taksa mbi disa biznese preferenciale të cilët duke patur mundësinë për të qenë pranë qeverisë kanë mundur që të ndikojnë në uljen e tyre. Plot 15 taksa thotë Kryeministri janë ulur dhe zeruar dhe, e dini sa qytetarë përfitojnë prej kësaj? Zero! Kështu, qeveria vendos të kthejë në prioritet gomat dhe importin e tyre duke ulur taksën ne import por nga ana tjetër rrit ndjeshëm taksën e qarkullimit e cila rëndon direkt mbi qytetarët, duke patur një efekt të plotë prej 240 lekë tek çmimi i karburantit”, u shpreh Tabaku. Sipas saj, Qeveria vendos të heqë taksën në import për miellin e grurit, duke dëmtuar prodhimin vendas dhe stimuluar atë nga tregje të dyshimta, ndërsa shtoi se Qeveria vendos të heqë TVSH për primet e sigurimit të produkteve të jo-jetës, si prona, ndërkohë që ka dyfishuar taksën e pronës, ndërsa tha se praktikisht zero veta përfitojnë nga kjo ulje taksash. Në vijim ajo deklaroi se shqiptarët do të duhet të paguajnë më shumë për çmimin e energjisë elektrike, ndërkohë që miqve të qeverisë u është hequr tarifa doganore për naftën bruto të importuar nga 10% në 0%, me justifikimin për të ndihmuar një sektor strategjik. Gjithashtu ajo shtoi se ka rritje taksash që prek Tatimin mbi të Ardhurat Personale, që do të rritet me 50%, ku objekt i kësaj takse do të jenë të ardhurat dytësore që gjenerohen nga dividentët, interesat e depozitave, qiranë apo edhe pronësinë ku të gjitha rriten nga 10 në 15 përqind, duke marrë nga xhepat e qytetarëve rreth 5 miliardë lekë nga kjo rritje. Sipas saj, taksa e qarkullimit të automjeteve për të dytin vit radhazi rritet duke përfshirë edhe efektin e TVSH-së me 24 lekë për litër duke e rritur me 4 herë në 2 vite nivelin e kësaj takse, ndërsa bëri me dije se për secilën prej 340 mijë familjeve do të jetë një taksë e re për 2015 për të paktën 1.5 milion lekë të vjetra në vit. “Por sigurisht që këto taksa kanë efekt të drejtpërdrejtë por nga ana tjetër qeveria ka llogaritur që konsumatorët do të paguajnë më shumë se këtë vit edhe: 9 miliardë e 457 milionë lekë (100 milionë dollarë) nga TVSH, që është taksa e fshehur në çmimin e mallrave e cila paguhet 100% nga konsumatori, qytetarët, pra ajo pjesë që përbën 95% të shqiptarëve që konsumojnë. E kështu vazhdon me të ardhura shtesë nga akciza, nga taksat nacionale, nga tatimi mbi fitimin që në total shtojnë barrën fiskale me 460 milionë dollarë, ose 46 miliardë lekë, ku 94 përqind paguhet nga konsumatori dhe vetëm 6 përqind nga biznesi”, tha ndër të tjera Tabaku. Deputetja demokrate u shpreh se përmes këtij buxheti, qeveria pretendon se vitin e ardhshëm Produkti i Brendshëm Bruto mund të shkojë rreth 800 milionë dollarë nga të cilat 460 milionë dollarë do t’ia marrë shqiptarëve nga xhepat e tyre. Ajo nënvizoi se shqiptarët, do të dorëzojnë pranë qeverisë 60% të Produktit të Brendshëm Bruto duke pritur që së paku ato të shkojnë në të mirë të shërbimeve komunitare. Deputetja demokrate deklaroi se mazhoranca ka vendosur që të rrisë shpenzimet për luksin e Edi Ramës dhe ministrave të tij me 3 miliardë lekë më shumë ose 9% më shumë se viti i tyre i parë, por nuk mund të themi të njëjtën gjë për investimet publike që bien nga 4.8% në 4.5% të PBB. “Ashtu siç pritej, në buxhetin e ri nuk do të kemi rritje të pagave të buxhetorëve, megjithëse numri i tyre do të rritet, dhe megjithëse çmimet po rriten në masën 6%-8%. Po kështu, pensionet priten që të indeksohen me normën e inflacionit ndonëse janë ende të paqarta efektet e politikës së re të paketës së sigurimeve shoqërore. Me një të rënë të lapsit, qeveria ka vendosur që të lajë duart me familjarët që kanë nevojë për ndihmë ekonomike sepse buxheti i vitit të ardhshëm do të ketë 1.1 miliardë lekë më pak në fondin e ndihmës ekonomike dhe paaftësisë. Me sa duket, qeveria mendon realisht se ne kemi më pak të varfër në këtë vend”, tha Tabaku. Në këtë linjë ajo deklaroi se Ministria e Mirëqenies Sociale, do të paguajë vetëm 700 lekë si subvencion ndaj familjeve të varfra që do të preken nga rritja me 70% e tarifës së energjisë elektrike. Gjithashtu deputetja demokrate u shpreh se pushteti vendor, si një dashuri e urrejtje e kryeministrit do të pësojë një ulje me 851 milionë lekë nga transfertat e pakushtëzuara mesatarisht 25 deri në 29%. Shpenzimet do të ulen në masën 763 milionë lekë në sektorin e “Transportit Rrugor”, tha Tabaku, duke shtuar se kjo ulje do të ndodhë edhe tek financimi i brendshëm, që kryhet me lekët e taksapaguesve, do të ulet me 50 milionë dollarë krahasuar me vitin 2014. Sa i takon fushës së arsimit, deputetja demokrate deklaroi se janë 445 milionë lekë më pak për fushën e arsimit bazë, nëntë vjeçar, dhe 434 milionë lekë më pak në fushën e arsimit të mesëm krahasuar me vitin 2014. Në vijim ajo bëri me dije se mazhoranca që premtoi se do të mundësonte shëndetësinë falas, se besonte se shteti duhet të ndihmonte gjithëkënd në shëndetësi, ka vendosur që të ulë shpenzimet në programin e “Kujdesit Dytësor” me 405 milionë lekë, duke shtuar se në këtë buxhet zëri i shpenzimeve shënon një rënie me 42% (4.680 milionë lekë më pak) se sa viti 2014 nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit duke sigluar më pak shpenzime në shërbim të qytetarëve dhe më shumë luks. “Qeveria kështu ka vendosur që të shtrydhë çdo pikë nga të ardhurat e qytetarëve dhe bizneseve që nuk janë pranë odës kryeministrore, gjithashtu ka vendosur përmes buxhetit të vitit që vjen se edhe pse do t’u marrë 460 milionë dollarë taksa të drejtë për drejta dhe 390 milionë dollarë nga konsumi nuk ka ndërmend të shpenzojë asnjë shumë në të mirë publike. Kjo rritje taksash, duke përkëdhelur disa e duke keqtrajtuar të tjerë, shoqëruar me një ulje të shpenzimeve vetëm për pjesën e nevojtarëve do t’ua bëjë jetën gjithnjë e më të vështirë qytetarëve”, u shpreh Tabaku. Deputetja demokrate deklaroi se Qeveria parashikon që vitin e ardhshëm të paguajë plot 8.8 miliardë lekë me shumë interesa per borxhin sesa viti 2014 (ose 20.6% me shumë), ku çdo shqiptar, fëmije apo pensionist, do të paguajë 30 dollarë më shumë sesa paguan aktualisht sot për borxhet e shfrenuara që merr qeveria. Tabaku tha se defiçiti planifikohet në masën 60.5 miliardë lekë, ose 4.1 % e GDP-së, ku huamarrja e brendshme planifikohet në masën 42.1 miliarde lekë, vlerë mjaft e lartë dhe që ndikon negativisht në kreditimin e bizneseve dhe individeve. Ajo e mbylli fjalën e saj, duke e cilësuar buxhetin si shënjuesin e thellimit të krizës ku qytetarët do të vuajnë pasojat e një politike klienteliste dhe shkatërruese të konsumit.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...
















