Gjatë një takimi të mbajtur sot mes Thaçit dhe Bushatit është bërë me dije se në pjesën e dytë të muajit mars, pritet të mbahetmbledhja e dytë mes dy shteteve, pas mbledhjes së parë të mbajtur në Prizren.
Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, priti në një takim homologun e tij të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ku thanë se mbledhja e dytë e qeverive është në muajin mars. “Bashkëpunimi mes dy vendeve do të vijojë. Shpresoj që në pjesën e dytë të marsit, të mbahet mbledhja e dytë mes Qeverisë së Shqipërisë dhe të Kosovës, për të parë deri ku kemi shkuar me implementimin e vendimeve të marra në mbledhjen e Prizrenit”, tha ministri Thaçi gjatë një komunikimi me mediat.
Nga ana e tij, ministri Bushati i shprehu mbështetjen e Qeverisë shqiptare për një bashkëpunim më të thelluar në vitin e ardhshëm me Qeverinë e Kosovës. “Bëmë një bilanc të shpejtë të arritjeve dhe elementëve që duhet të adresohen më mirë. Duhet të pregatisim një plan të shkurtër aktivitetesh se si do ti përqasemi mbledhjes së radhës”. Duke përmendur nisjen e dialogut të Qeverisë së Kosovës me atë të Serbisë, Bushati tha: “Thaçi na njohu me hapat që po merr Qeveria e Kosovës në pritje të nisjes së dialogut me Serbinë, dialog që bazohet në procesin e Brukselit, i cili ka dhe do të ketë mbështetjen tonë, e do të normalizojë marrëdhënien e dy vendeve”.
Nga ana e tij, në lidhje me këtë çështje, ministri i Jashtëm i Kosovës bëri me dije se këto vizita mes Serbisë dhe Kosovës po ndodhin dhe janë gati normale e të zakonshme mes dy shteteve. “Janë vizita të karakterit humanitar dhe fetar. Duhet të fokusohemi si të rrisim dhe të intensifikojmë komunikimin”, deklaroi Thaçi.
















