Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati zhvilloi sot në Bruksel një takim me Zv. Presidenten e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini.
Sipas informacioneve zyrtare nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, politika e zgjerimit të BE-së, ecuria e Shqipërisë dhe e Ballkanit Perëndimor në procesin e reformave, si dhe situata e sigurisë në rajonet fqinje të BE-së ishin disa nga temat që u trajtuan gjatë takimit.
Pas takimit, Bushati dhe Mogherini patën një konferencë për shtyp, ku Ministri Bushati u shpreh se diskutimet me Mogherinin u përqendruan në “rrugët sesi mund të mbështeten përpjekjet shtet ndërtuese në Shqipëri dhe kontributin për një proces dinamik dhe efikas. Ballkani perëndimor ka nevojë për ndihmën e BE-së për t’u bërë një rajon i vërtetë, për të realizuar idetë dhe përmbushur angazhimet e Samitit të Berlinit. Qartësia strategjike është kyçe nëse duam të ndërtojmë një sens të qëllimit dhe vlerave të përbashkëta në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria është krenare që ka njësuar plotësisht politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së, si dhe për mbështetjen që ka dhënë në koalicionin në luftën kundër ISIL”.
Mogherini e cilësoi Shqipërinë si një histori suksesi në rajon dhe theksoi se shpreson në caktimin sa më të shpejtë të datës së hapjes së negociatave për anëtarësim. Sipas Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, ajo evidentoi gjithashtu se integrimi i Ballkanit Perëndimor do të jetë një nga prioritetet e mandatit te saj si Përfaqësuese e Lartë për Politiken e Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së. Mogherini ndau pikëpamjen se, me pak angazhim nga ana e BE-së, mund të arrihen rezultate të rëndësishme në integrimin e mëtejshëm të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Në kuadër të vizitës së tij në Bruksel, Ministri Bushati ishte i ftuar nga Komisioni i Parlamentit Evropian për Çështjet e Jashtme (AFET) të shkëmbejë mendime me eurodeputetë dhe deputetë të parlamenteve të vendeve anëtare mbi politikën e zgjerimit të BE-së në përgjithësi dhe, në mënyrë të veçantë, mbi ecurinë e proceseve integruese të Shqipërisë. Të ftuar në takim ishin edhe ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të rajonit. Në fjalën e tij, Ministri Bushati theksoi se politika e zgjerimit e BE-së është një instrument që nxit modernizimin, demokratizimin dhe stabilitetin e vendeve të rajonit.
















