Shkodër- Kundërshtisë së grave në Shqipëri për mbajtjen në burg të ish- kryeinspektores së Bankës së Shqipërisë Elivar Golemi i është bashkuar edhe eurodeputetja Doris Pack.
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve gjatë qëndrimit të saj në Shkodër, Pack ka deklaruar se është e pakonceptueshme, që për të njëjtën akuzë ish-Guvernatori është në liri, ndërsa ish-Kryeinpektorja mbahet në qeli.
“Nuk mund ta kuptoj se si lirohet Fullani dhe mbahet ne burg një zonjë me të njëjtën akuzë dhe për të njëjtin faj. Dyshoj se ky vendim i tillë ka ardhur pasi ish-kryeinspektorja e BSH është grua” u shpreh ajo.
Më herët rreth 30 gra dhe vajza shkodrane protestuan për tre ditë me radhë në mbështetje të ish-Inspektores së Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi.
Ato kërkuan që drejtësia të veprojë “drejt” dhe jo duke lënë vetëm bashkëqytetaren e tyre në burg.















