Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar sot udhëheqësin e Deskut për Kosovën në Zyrën e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Dashiell Caldwell, i shoqëruar nga ambasadori britanik në Prishtinë, Ian Cliff.
Ministri Hoxhaj i ka njoftuar diplomatët britanikë me angazhimin e institucioneve të Kosovës në procesin e njohjeve ndërkombëtare për shtetin, si dhe me përpjekjet e vazhdueshme për ta anëtarësuar Republikën e Kosovës në sa shumë organizata rajonale e ndërkombëtare, procese këto të përkrahura vazhdimisht nga Mbretëria e Bashkuar.
Me këtë rast, ministri Hoxhaj ka përmendur progresin që po arrihet në fuqizimin e shtetësisë së Kosovës, të subjektivitetit ndërkombëtar dhe avancimin e proceseve integruese evropiane të Kosovës.
Hoxhaj po ashtu ka shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme të dhënë nga Mbretëria e Bashkuar.
Udhëheqësi i Deskut për Kosovën, Dashiell Caldwell, ka vlerësuar progresin e arritur në Kosovë dhe ka ofruar mbështetje të mëtejme për Kosovën edhe në aspektin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy shteteve.















