Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian pritet të ketë pasoja për britanikët. Ekipi Reality Chech ka listuar disa nga pyetjet më të zakonshme që ngrihen në një situatë të tillë në lidhje me efektet financiare.
Ajo çka dihet është se Britanisë do t’i duhet të rishikojë të gjitha marrëveshjet me BE-në brenda dy vitesh, aq sa pritet të zgjasin edhe negociatat me BE-në për largimin e saj.
A do të kem nevojë për një pasaportë të re?
Në pjesën e përparme të pashaportave britanike thuhet “Bashkimi Europian”. Për aq kohë sa Britania e Madhe do të vijojë të jetë anëtare e BE-së deri në negocimin e marrëveshjes së daljes nga BE, atëherë pasaportat britanike do të jenë të vlefshme. Kështu që ata që kanë planifikuar të udhëtojnë gjatë kësaj periudhe, nuk kanë pse të shqetësohen. Ndërkohë pas daljes nga BE, britanikët duhet të aplikojnë për pasaporta të reja.
A do të funksionojë Karta Evropiane e Sigurimeve Shëndetësore (EHIC).
Karta Evropiane e Sigurimeve Shëndetësore u jep të drejtën udhëtarëve për trajtime urgjente në vendet anëtare të BE-së ku janë vizituar. Kjo kartë funksionon në çdo vend të BE-së, Zviçër, në Zonën Ekonomike Europiane, Norvegji, Lihtenshtajn dhe Islandë.
Kjo kartë do të jetë funksionale për sa kohë Britania e Madhe do të qëndrojë në BE, në varësi të negociatave me BE-në. Pas kësaj, karta mund të jetë sërish funksionale nëse Britania negocion për një përdorim të vazhdueshëm të saj.
A do të kem nevojë për vizë për të udhëtuar në BE?
Sërish e njëjta situatë. Për sa kohë Britania do të mbetet pjesë e BE-së, britanikët do të jenë në gjendje të udhëtojnë lirshëm në vendet anëtare të BE.
Po sa i përket patentës evropiane?
Ashtu si edhe pasaportat, patentat do të mbeten të vlefshme përsa kohë Britania do të jetë në negociata me BE-në për largimin e saj. Gjithsesi kjo varet edhe nga bisedimet dhe vendimet që do të marrë BE.
Por nuk përjashtohet që pas kësaj, patentat të ndryshohen pasi të kenë skaduar.















