Deputeti Ben Blushi thotë se me këtë parlament nuk mund të ketë reformë në drejtësi. Edhe nëse ajo do të bëhet, Blushi shprehet se politikanët që do ta votojnë, e shohin atë si një marrëveshje për të mos u ndëshkuar ata vetë. Në fjalën e tij në parlament, deputeti socialist solli si shembull faktin se edhe pse ligji për dekriminalizimin është miratuar 4 muaj më parë, në parlament ka ende kriminelë. Kjo për Blushin është provë se se ky parlament nuk jep garanci se do të ketë drejtësi në Shqipëri. Dhe ky fakt – thotë Blushi – është arsyeja përse shqiptarët largohen çdo ditë, përveç varfërisë, sepse nuk besojnë se këtu do të ketë ndonjëherë drejtësi.
E boton të plotë fjalën e Blushit në parlament:
Reforma në drejtësi po bllokohet me konsensus… Besoj se edhe pas kësaj dite, edhe nëse do të ketë reformë në drejtësi, drejtësi nuk do të ketë, sepse ky parlament prodhon më shumë fjalë se ligje, më shumë letra se fjalë, më shumë fjalë se akte të dobishme. Ky parlament në fund fare miraton, por shumë pak voton. Ky parlament flet, por shumë pak mendon, ky parlament paragjykon, por shumë pak gjykon. Dhe ky parlament sigurisht që është parlament me shqiptarë, por në shumë pak raste është në dobi të shqiptarëve. Dhe ky parlament për këto arsye sot po bën gjithçka që ka në dorë për ta kthyer dhe për ta bërë hiç reformën në drejtësi. Dhe për këtë kam një provë. Në fund të vitit të kaluar me konsensus nga të dy palët, nga të gjitha palët, u miratua ligji i famshëm për dekriminalizimin. Shumë kolegë që e votuan, çuditërisht, sot thonë se janë bërë pishman që e votuan atë ligj. Unë i pyes sot: çfarë ka këtu për t’u bërë pishman. Kush është bërë pishman? Se me ligj ata janë njerëz me precedentë penalë, apo krmiminelë nëse doni se e them prapë, kriminelë! Duhet të dalin me ligj nga ky parlament. Kush është bërë pishman për të nxjerrë jashtë nga parlamenti dhe zyrat e shtetit ata që kanë ardhur në parlament me armë, ata që kanë qëlluar ata me të cilët kanë konflikt civil, ata që kanë zëvendësuar forcën me arsyen, ata që kanë grabitur me dhunë apo me imunitet parlamentar atë që nuk i takon. Ata që erdhën për t’u fshehur në zyrat e shtetit pasi kishin bërë krime jashtë Shqipërisë dhe morën një imunitet që sot e kanë akoma, për shkak se ligji për dekriminalizimin nuk po zbatohet edhe pas 4 muajsh. T’u thuash shqiptarëve se në këtë parlament nuk paska njerëz me precedentë penalë, është si t’i bindësh se ka pyll pa derra, apo t’i bindësh se ka liqen pa ngjala, apo t’i bindësh se ka det pa peshkaqen. T’u thuash shqiptarëve se, kur një njeri i thjeshtë mban armë, ajo është armë, po kur atë e mban një deputet është celular, kjo nuk është shaka. Nuk është komike, është tragjike! Dhe kjo ndodh ditë për ditë në këtë parlament për sa kohë që nuk ka drejtësi dhe ky parlament është e fundmja pengesë për fat të keq e drejtësisë në Shqipëri. Është çështja a do të ketë apo jo drejtësi në Shqipëri. Ky parlament, siç e thashë, nuk e jep këtë garanci dhe duket se s’ka për ta dhënë deri në ditën e fundit të vet. Shqiptarët nuk do jenë të barabartë para ligjit edhe në qoftë se drejtësia ndryshon me ligj, edhe në qoftë se reforma në drejtësi, siç duket, mund të kalojë në këtë parlament, çfarë garancie ka që te gjykatësit e korruptuar apo prokurorët e korruptuar, do të shkojnë politikanët e korruptuar. Asnjë garanci. Dhe ky është perceptimi publik, që reforma në drejtësi do të përfundojë si një marrëveshje për të mos na ndëshkuar ne. Po kush janë në fund fare efektet e mungesës apo të shtyrjes së reformës në drejtësi. Çfarë po ndodh sot në Shqipëri për shkak se drejtësia po vonon. Jua them unë: njerëzit po ikin, të varfërit po shtohen, shkollat po zbrazen, fshatrat po zhduken, qytetet e vogla po kthehen në fshatra, qytetet e mëdha po kthehen në tregje. Aty nuk jetohet, por vetëm shihet dhe blihet në qytetet tona. Shqipëria e gjitha po kthehet në një Pazar, që ka pak konsum, pak ekonomi, shumë pak njerëz edhe shumë krim. Po u jap sot një rast tjetër që çfarë do të thotë të mos ketë drejtësi. Para 3 muajsh qeveria solli këtu një ligj dhe ky ishte ligji për kompensimin e pronave. Ligji siç erdhi, dhe unë nuk e votova atë se nuk më bindi, nuk e kthente pronën, por i shkonte vetëm një rruge; rrugës së kompensimit financiar të pronës. Që do të thotë se shumica e mbetur e pronave që janë akoma të pakthyera apo pronësi shtetërore, të disktueshme në disa raste, nuk i kthehen pronarit, por i paguhet për një periudhë 10 –vjeçare, ndërkohë që shteti mban pronën e tij. Por nuk ishte ky argumenti për të cilin ligji erdhi dhe u miratua me urgjencë pa shumë debat. Qeveria në atë kohë tha: po e sjell ligjin me urgjencë, për shkak se jam në një negociatë me Gjykatën e Strasburgut, në mënyrë që gjykata të mos japë më vendime që penalizojën Shqipërinë duke favorizuar pronarët. Dikush e besoi dhe e votoi ligjin me këtë argument, me bindjen se Gjykata e Strasburgut do të jetë në konsensus me qeverinë shqiptare për të mos dhënë vendime në dëm të saj. Kjo nuk ndodhi. Unë isha një nga ata që mund të besoja se do të ndodhte. Sepse nëse unë jam një nga ata që besojnë se Gjykata Europiane e Strasburgut mund të bëjë marrëveshje me një palë, qoftë kjo qeveria e Shqipërisë, gjykata ka mbaruar. Ky është koncepti për gjykatat. Vetëm qeveria e Shqipërisë shkoi me bindjen se mund të bindte gjykatën që të mos jepte vendime në dëm të saj. Por kjo nuk ndodhi. Ka një provë! Para dy javësh Gjykata e Strasburgut dha një vendim 12 milionë euro në dëm të shtetit shqiptar, duke favorizuar këtë që e kishte paditur për t’i kthyer pronën e vet, për shkak se ishte vonuar prona apo nuk ishte kthyer për 25 vjet. Kush e paguan këtë dëm, kush i paguan këto 12 milionë euro? Kjo është një faturë që del nga buxheti, del nga taksat. U hiqet spitaleve, bankave, rrugëve, ndriçimit, transportit pensioneve, i hiqet buxhetit. Po përse? Sepse kjo do të thotë, se ky është çmimi i të mos bëri reformë. Se nëse ligji i pronave u shit si një reformë dhe rezulton si një dëm, dhe një dëm që nuk do të mbyllet për kaq pak kohë, ky është fati dhe ky është destini i reformës në drejëtsi. Këtë fat mund të ketë reforma në drejtësi në qoftë se tkurret dhe shtrydhet si një rrobë e palarë në këtë parlament. Do të ketë të njëjtin fat. Nuk do të ketë asnjë efekt mbi drejtësinë. Dhe unë dyshoj se kështu do të jetë. Ne do të paguajmë shumë shpejt çmimin jo vetëm të vonesës së reformës në drejtësi, por edhe të shtyrje së saj, sepse shtyrja e saj nga palët politike këtu, nuk është se vonon drejtësinë në të ardhmen, por deformon edhe drejtësinë e ditës. Sepse këta gjyqtarë dhe këta prokurorë, këta që japin vendime sot, kur shohin se çfarë bëjmë ne këtu, kur shohin se nuk kemi asnjë plan për të bërë reformën në drejtësi dhe për të dhënë drejtësi, për të mbrojtur veten në shumë raste, ata vazhdojnë të japin vendime të padrejta, të cilat rrisin faturën sociale dhe ekonomike të Shqipërisë. Por dëmi më i madh që bëjnë është që u heqin shpresën qindra dhe mijëra shqiptaëve që po ikin sot nga Shqipëria, sepse këtu nuk do të ketë dhe nuk do të ketë dhe nuk do të ketë drejtësi. Dhe kjo është një arsye për të ikur, për të ikur dhe për të mos u kthyer!















