Vendimi i presidentit Nishani për të marrë anën e protestuesve të Parkut të liqenit dhe për tu rreshtuar hapur kundër “këndit të lojrave” të bashkisë së Tiranës, i ka ndarë në qëndrime diametralisht të kundërta opinionistët e shtypit shqiptar. Për disa ai bëri një hap që do të mbahet mend gjatë. Për të tjerë aid ha një shembull më shumë se është një kamikaz i Berishës.
Ata që mbrojnë këtë version i kujtojnë presidentit se ai nuk ka demostruar kurrë një sensibilitet për çështjet mjedisore. Nën këtë prizëm në shkrimin e tij “Disa sugjerime për presidentin ambjentalist”, në Javanews, Skënder Minxhozi shkruan: “Meqë Bujar Nishani u lodh që të ngjitet deri tek kodra e Shën Prokopit në emër të ruajtjes së ambjentit, ka vend që t’i kujtohet atij se është i vonuar, selektiv dhe i pabesueshëm në mbrojtjen e kauzës në fjalë. Nëse do të kthente kokën djathtas, vetëm 100 metra poshtë vendit ku shkoi për të protestuar, presidenti do të shihte një hapësirë të madhe, të mbushur pjesërisht me vinça që presin të nisin punën. Është fusha poshtë digës së liqenit, të cilën planin rregullues i vitit 2012 e ktheu në hapësirë ndërtimi. Më tej, nëse do të shkonte në anën tjetër të Parkut, përballë Fakultetit Ekonomik, do të shihte sesi dy qeveritë e fundit, ajo Berisha dhe kjo aktualja, dhanë një leje ndërtimi pallati, e cila do ta betonojë dhjetëfish më keq atë copë Parku (sot e nxjerrë me hile nga njolla e Parkut), sesa parku i fëmijëve për të cilin u trazua nga punët serioze me të cilat i duhet të merret”.
Ndërsa Mero Baze ka një këndvështrim tjetër për mënyrën sesi kreu i shtetit mund ti ndihmojë aktivistët e mjedisit: “Bujar Nishani, nëse do t’u dalë zot si president, duhet të sillet si president dhe jo si revolucionar” shkruan ai në editorialin tek “Tema”. Por- shton ai- megjithëse presidenti ka udhëzuar prokurorinë të hetojë dhe ka nxitur kontrollin e shtetit të shqyrtojë të gjitha letrat për këtë çështje, ai sillet sërish si revolucioanar. Dhe kjo ka një qëllim:” Por gjesti i tij i dëshpëruar, kur flaku patericën, hipi në makinë dhe shkoi vetë të protestonte aty ku po protestojnë, së paku me sinqeritet disa dhjetra ambientalistë prej javësh, është një gjest i dëshpëruar i një kamikazi politik, i cili nuk di të jetë as president i njëanshëm. Ai do medoemos të dëshmojë para Berishës, se kaq ka në dorë, të shkojë vet deri atje…Fjalimi i tij dizastër, i tëri antikushtetues, i cili bën thirrje për prishje prone dhe kundërshtim rendi, është po ashtu pjesë e profilit të tij si president kamikaze”.
Idenë e një besniku të PD-së mbron edhe Minxhozi: “Bujar Nishani na ka mësuar se të jesh president, s’do të thotë doemos të jesh i baraslarguar nga palët dhe as i kujdesshëm për sinoret institucionale të postit të lartë që mban. Ai ka përqeshur në heshtje dhe me vepra, preokupimin e atyre që kanë parë tek presidenti aktual një partizan politik të njërës palë, duke mos u munduar asnjëherë që ta kamuflojë qoftë edhe formalisht rreshtimin e tij në favor të ish-partisë që e zgjodhi”.
Por krejt ndryshe mendon Mark Marku në opinionin e tij tek Panorama. Ai e krahason aktin e Nishanit me një gjest të dikurshëm t ëish presidentit Italian të viteve ’80, Sandro Pertini që priti deri në fund bashkë me zjarfiksit shpëtimin e një fëmije.” Kur pashë Presidentin Nishani me ata djem dhe vajza kurajoze dy ditë më parë në zyrën e vet, thashë me vete: Zot, më në fund paska ngelur një institucion që e mbron dinjitetin e nëpërkëmbur të qytetarëve në këtë shtet, që është me ta kundër dhunës shtetërore dhe interesit politik. Nuk paska marrë fund krejt ky shtet, ashtu siç e tregonin të gjitha shenjat. Presidenti Nishani e përforcoi edhe më tej gjestin e tij presidencial dhe u ngjit vetë në qendrën e rezistencës qytetare. Duke e parë atje, m’u kujtua pikërisht Presidenti Pertini dhe gjesti i tij. Mesazhi i tij brilant ishte një mbështetje jo vetëm për aktivistët e shoqërisë civile, por edhe për të gjithë shoqërinë” shkruan Marku ne opinionin me titull: “Gjesti presidencial”.
Por ndryshe nga ai drejtorja e informacionit në Ora Nevs, Ilva Tare mendon ndryshe. Sipas saj Nishani e njollosi kauzën mbi partiake të ambientalistëve: “Përfshirja e Presidentit rrezikon ta kthejë, ashtu siç ndodhi me replikat Veliaj – Nishani në një betejë politike. Në vend të mbrojtjes, aktivistët rrezikojnë të kthehen në qytetarë me kauzë të pengmarrë sërish nga deklaratat politike që do të pasojnë në lidhje me këtë mbështetje. Mbështetja që ata kërkojnë apo ndoshta ua sugjerojnë, duhet të vijë nga pjesa tjetër e shoqërisë…” shkruan ajo në komentin: “Një tjetër humbje pëe aktivizmin”.
Por ndryshe nga ky kujdes hgjenik Marku mendon se Nishani me vajtjen tek liqeni bëri një akt themelues për presidencën e tij: “…institucioni më i lartë shtetëror i vendit i ka shpallur hapur luftë krimit shtetëror dhe dhunës ndaj qytetarëve. Dhe një gjest vlen më shumë se miliona fjalë. Me këtë akt, Presidenti Nishani rithemeloi institucionin e Presidentit”.















