Ish-kryeministri, Sali Berisha, përjashtohet për 10 ditë nga Kuvendi me kerkese te dy grupeve parlamentare PS-LSI. Vendimi u mor nga Byroja e Kuvendit, e cila u mblodh nga kryeparlamentari Ilir Meta pas deklaratave të ashpra të ish-kryeministrit Berisha në Parlament.
Pas kësaj deputetët e Partisë Demokratike janë larguar nga salla, ndërsa seanca plenare ka rinisur pas pushimit vetëm me deputetët e mazhorancës ku po diskutohet rendi i ditës.
Berisha-Veliajt: Ti thanë gruas kurvë dhe heshte. Meta ndërpret seancën
Debatet në Kuvend kanë degraduar në fyerje dhe sharje banale, pas tensionit të krijuar nga diskutimet e nxehta mbi operacionin në Lazarat. Ka mjaftuar një “Vazhdo” e shoqëruar me dorë nga dy Ministrat e kabinetit Ahmetaj dhe Veliaj, të pozicionuar në ulëse në afërsi të foltores ku ish-kryeministri Berisha po dënonte atë që ai e quajti terror mbi popullësinë civile, që ky i fundit të humbë kontrollin.
Ai ka kërkuar heshtjen e Veliajt, duke i kujtuar incidentin e publikuar ne media për ditëlindjen e Tedi Papavramit dhe duke i thënë që nuk është në gjendje ti dalë për zot as bashkëshortes së tij.
“Po të qëllohet në ajër është turp, vetëm frikacakët e bëjnë atë. Ai që është trim nuk ka nevojë të qëllojë në erë. Ata që i çuat ju, i çuat ju mish për top. Një burrë që ia quajnë të shoqen kurvë dhe prostitutë dhe nuk thotë asnjë fjalë vetëm ky është, vetëm ky është” tha Berisha duke iu drejtuar Veliajt i “xhindosur”.
Pas kësaj deputetë të mazhorancës kanë shpërthyer në zhurma në shenjë proteste ndaj Berishës. Ndërsa kreu i Kuvendit duke i tërhequr vëmendjen Berishës, ka kërkuar ndërprerjen e seancës për 15 minuta.
Berisha: Demaskova Kryeministrin,Veliaj preket nga publikimi i të vërtetës
Ndërkaq ish-kryeministri jashtë selisë së parlamentit tha për gazetarët se Veliaj nuk preket nga ato që thotë kryetari i tij, por pse ajo e vërtetë bëhet publike.
“Ministri, burri i bashkëshortes që në sytë e tij Edi Rama i tha prositutë e më shumë e që nuk çeli gojë fare bërtiste prapa pse unë thoja të vërtetat që i digjnin. Unë jam këtu ti zotohem shqiparëve se asgjë në botë nuk do të më pengojë mua të them të vërtetat publike që janë të rëndësishme. Është me rëndësi që shqiptarët të dinë se me një darkë për nder të Tedi Papavramit, kryeministri ka agresuar në mënyrën më të çmendur gazetarin Adi Krasta dhe pasi ka shkëmbyer me të gjitha llojet e sharjeve, u është kthyer dy zonjave me fjalët më ulëta. Këta zotërinj nuk preken nga ato që thotë kryetari i tyre, por pse bëhen publike, se këto duhet të mbahen sekret pavarësisht se ka ndodhur në një aktivitet zyrtar në prani të 22 vetëve.
I pyetur a nuk është një fjalor i pahijshëm nga një ish kryeministër, Berisha u përgjigj: Kur një kryeministër e lejon veten të shqiptojë shprehje të tilla, meriton të demaskohet. Unë s’i kam thënë kurrë fjalë të tilla, as kur kam qenë Kryeministër dhe as tani si ish-Kryeministër. Kjo është e vërtetë.














