Ish kryeministri Berisha, teksa e marë fjalën në Kuvend, ka thënë se shqiptarët po ikin drejt vendeve të BE për bukën e gojës, ndërsa e ka krahasuar Ramën me presidentin e Sirisë, Bashar al Assad.
“Ndonëse u hoqën vizat në vitin 2013, Shqipëria renditej e fundit ose e parafundit sa i përket azil-kërkuesve. Shqipëria ka pasuri përallore, e kur shikon njerëz që largohen, njeriu nuk mund të mos qaj me lotë të ftohta nga hidhërimi. Po ku jemi sot, nga Kukësi, Orikumi, Saranda, mijëra shqiptarë largohen nga Shqipëria. Ajo që është edhe më e rëndë është ajo që mijëra kërkojnë azil politik, pranojnë të largohen nga Shqipëria e shkojnë në kampe. Shkojnë vetëm për copën e bukës. A komunikoni ju me ata? A është kjo një klithmë e tmerrshme, po. Në statistikat tuaja, njëra është më e hidhura. Ne arritëm ta ulim në 1.4 % varfërinë, sot po shkon në 5 %. Po pse po ikin shqiptarët, nuk janë larguar për mungesë dashurie. Janë larguar kur e shohin se s’ka jetesë në këtë vend. I dërmon dëshpërimi, zhgënjimi, trishtimi. Po pse po ikin shqiptarët, jemi në eksod sot. Pasiguri e madhe, në të katër anët kërcasin maskat e tritolet. Turp që jeni krenarë. Si të kenë besim shqiptarët kurshohin se japin mediat komisarin e shtrirë në tokë me 15 plumba në trup, e autori u pa me dy sy nga dëshmitari i mbrojtur. E pastaj Frrokët e partisë e shpallin të pafajshëm. Cili është ai që mendon se ka siguri, kur deputeti juaj mbron kryetrafikantin? Cila është siguria kur deputeti juaj ka shkelur ligjin në 150 raste? Ku ka siguri kur Konstandini i partisë shtrin nën dhe 4 jetë. Shqiptarët nuk rrinë dot në Shqipëri me këtë situatë. Jo se nuk e duan Shqipërinë, por këtu ata jetojnë në një shtet terrori-policor. E shohin që deputeti shkel Kushtetutën në 150 raste mbrohet, e një tjetër ai që ka 35 dollarë borxh vdes në burg. Pse shqiptarët dolën krahas me sirianët, e kuptoni që jeni barazuar me Assadin? Shqiptarët votuan sepse u premtuan shëndetësi falas, të hiqni TVSH-në e energjisë, u premtuat rrogën e 13, u premtuat 160 mln dollarë vaditje. Ata u besuan sepse situata e ndihmuar nga kriza greke dhe italiane ishte e vështirë, tani ku i keni? Ku janë vendet e punës? Ku është deputeti i Vlorës, ai që thotë me krenari se prishi 1000 objekte, njeri paranojak. Këto 1000 objekte ushqenin 1000 familje. Janë prishur për kënaqësinë e kryetarit tuaj mbi 6000 e ca objekte. Do vazhdojmë me krenarinë e turpshme? Si po shkon ekonomia, gjeni një biznesmen që thotë se po ecim mirë. Skenari grek po progreson, borxhi po thellohet edhe deficiti”.
Berisha-Erjon Braçes: Pusho ti, se s’ka nevojë për avokat, ka hajdarin avokat…mbylle gojën rrugaç, mbylle gojën rrugaç.
Ilir Meta: Ju lutem me qetësi dhe kujdes etikën.
Berisha:”Nuk ke ndërtuar dot në 2 vjet, 1 km rrugë. 800 milionë është Laguna e këtij zotërisë dhe 2 të vdekur, nga kompania e këtij të pudrës. Ndaj ikin shqiptarët.Ikin sepse një klikë e urryer sundon sot Shqipërinë”.
















