”Mendoj se kryetari shprehu në mënyrën më të sinqertë, më të qartë në fjalën e tij mendimin e demokratëve shqiptare, të të gjitha prurjeve, të të gjithë spektrit, kështu që gjykoj se ai aty nuk foli vetëm për vete, por foli për të gjithë demokratët shqiptarë”
Ish-kryeministri Sali Berisha ishte ndër të fundit delegatë që votoi dje për listën e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Kombëtar, të cilën ai e cilësoi si më dinjitozen. Berisha foli edhe për fjalimin e Bashës dy ditë më parë, si dhe paralajmëroi se fitorja e demokratëve do të jetë edhe më e afërt se zgjedhjet e ardhshme lokale, por pa argumentuar mënyrën sesi.
- Berisha, një koment për votimin…
Ky votim ishte kënaqësi e madhe, por edhe keqardhje. Kënaqësia ishte se votova në një listë të shkëlqyer, keqardhja ishte se më duhej të votoja vetëm 150 dhe jo të gjithë listën, të cilën do ta kisha votuar me të dyja duart dhe jam i sigurt që këtë vështirësi timen dhe këtë keqardhje timen, e kanë ndierë të gjithë ata që kanë votuar si unë. Pasi me të vërtetë ishte një listë, mund të them më përfaqësuesja, më dinjitozja që mund të përpilohej dhe ajo që të vjen ndër mend kur e mbyll atë të drejtë me 150 vota, thua, pse të mos i votoj të 280 sa janë këtu…
Zoti Berisha, si ju duk fjalimi i zotit Basha dje?
Mendoj se kryetari shprehu në mënyrën më të sinqertë, më të qartë në fjalën e tij mendimin e demokratëve shqiptarë, të të gjitha prurjeve, të të gjithë spektrit, kështu që gjykoj se ai aty nuk foli vetëm për vete, por foli për të gjithë demokratët shqiptarë. Fjalimi ishte fjala e përgjegjësisë së madhe e kryetarit të PD-së, e vendosmërisë së madhe për t’u paraqitur shqiptarëve realitetin dhe për të udhëhequr demokratët drejt fitores së sigurt të pashmangshme.
Fitorja duhet të matet në zgjedhje dhe para kemi zgjedhjet lokale, do t’i fitojë ato PD?
Pse e paragjykon ti?! Fitorja mund të vijë edhe shumë kohë para zgjedhjeve lokale. Kur vjen fitorja nuk i thotë kush mos hajde, përkundrazi, njëlloj si bleta që me punën e saj të imët krijon një nga arkitekturat më mahnitëse të natyrës, po kështu edhe demokratët arkitektojnë fitoren e bukur të ardhshme në kohën më të parë të mundshme.
Lajmëruat protesta një ditë më parë, kur do të fillojnë?
E rëndësishme është që protesta dhe revolta është në shpirtin dhe zemrën e çdo demokrati shqiptar, është dhe me zor po pret të vërshojë rrugicave, bulevardeve, sokakëve të Tiranës dhe më gjerë.
Thatë që në 2015 do të kemi zgjedhje parlamentare, jo zgjedhje vendore?
Unë po them se çdo ditë që kjo klikë rri në grabitje, se kjo nuk qeveris por vetme grabit, është dënim për qytetarët shqiptarë. Ditë dënimi për qytetarët shqiptarë.
Kur do të ktheheni në parlament?
Nuk e vendos unë.
Kryetari Basha foli për një marrëveshje me mazhorancën, si mendoni, cilat do të jetë bazat e saj?
Me përgjegjësi dhe saktësi do t’ju thotë kryetari në momentin e parë që të gjendet pranë jush, por ajo që kuptova unë, që opozita e cila de fakto është mazhoranca sot, sepse Kuvendi i PD-së tregoi se mazhoranca është spostuar, ka kaluar në kahun e demokratëve dhe po pret me shpejtësi, pra do të përcaktohen pikat dhe do të bëhen publike.
Sa gjasa ka të respektohet kjo marrëveshje nga kryeministri Rama, sepse ju e keni akuzuar se ai nuk i respekton marrëveshjet?
Po më pyete mua, unë do t’ju them se nuk ka njeri në këtë tokë që nuk ka ligj e as moral, ky quhet Edvin Kristal Rama, por këto janë të tjera punë dhe nuk pengojnë.
















