|
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, prezantoi ditën e sotme kartën e shëndetit dhe tha se kjo kartë do shërbejë që mjekët dhe qytetarët të kursejnë kohën e tyre. Beqaj tha se në ndryshim nga libreza, karta e shëndetit do të jetë pa pagesë. Ai tha se farmacitë do mund të kursejnë rreth 600 mijë minuta në muaj nëpërmjet përdorimit të kartës së re dhe mënjanimit të librezave. Ministri i Shëndetësisë deklaroi gjatë prezantimit se karta e shëndetit është e lidhur me sistemin qendror, i cili lidhet me regjistrin kombëtar. Për të prodhuar kartën, duhet që të plotësohet fillimisht një formular, i cili më pas printohet. Ai ftoi qytetarët që të aplikojnë për kartën e shëndetit pasi afati i librezave t’u mbarojë, pasi përdorimi i kartës së shëndetit lejon që të kemi një informacion më të plotë shëndetësor. Disa nga elementët karakteristike të kartës janë se ajo është e përkulshme, mund të ruhet lehtë, është lehtësisht e zëvendësueshme në rast humbje dhe nuk digjet. Në vijim të fjalës së tij, ministri Beqaj tha se ky vit do jetë viti i bashkekzistencës mes librezës dhe kartës. Ai garantoi se nuk do të ngelen pa shërbim të gjithë ata qytetarë që nuk do mund të marrin kartën e shëndetit gjatë muajve apo javëve të para. |















