Kryeministri Edi Rama shprehet se ka zhvilluar një takim me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiç në Beograd në kuadër të samitit Ndërkombëtar që po mbahet në këtë vend. Sipas Ramës, takimi ka pasur si qëllim kujdesin ndaj shqiptarëve të Preshevës që jetojnë nën qeverisjen serbe.
“Takim me km Vuçiç për rritjen e ritmit të bashkëpunimit dhe rritjen e kujdesit ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, shprehet Rama në Facebook e Twitter mbi takimin e orës 11:00 që kishte me Vuçiç.
Beograd, Rama: Takim me Vuçiç për rritjen e ritmit të bashkëpunimit dhe kujdesit ndaj shqiptarëve të Preshevës
Po në rrjet social, Rama u shpreh dhe për bisedën që ka pasur me kryeministrin kinez Li Keqiang. “Mirëkuptim i plotë me km Li Keqiang për nevojën që Kina të rrisë mbështetjen financiare ndaj Shqipërise dhe rajonit”.
Kreu i Qeverisë shqiptare ndodhet në Beograd në kuadër të Samitit të tretë Kinë-Europë Qendrore dhe Juglindore, ku po marrin pjesë 20 kryeministra nga rajoni.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, shkeli dje për herë të dytë brenda një muaji Beogradin. Samiti i djeshëm ka bërë bashkë rreth 16 kryeministra të rajonit, por aty nuk ka qenë i ftuar kryeministri i ri i Kosovës, Isa Mustafa. Me të zbritur në Beograd, Rama deklaroi në një intervistë për “Top Channel” se: “Serbia nuk është armikja jonë, është fqinja jonë. Ndërkohë, më duhet ta them se nga një anë procesi i përbashkët, për të çuar përpara projekte bashkëpunimi, për t’i dhënë paqes një kuptim të ri për popujt tanë do të vazhdojë. Por nga ana tjetër, për Serbinë, sa më shpejt ta njohë Kosovën, aq më mirë do të jetë për të parë tërësisht e fokusuar nga e ardhmja dhe për të mos mbetur peng i së shkuarës”, u shpreh kreu i qeverisë shqiptare. Mes tij dhe kryeministrit serb gjatë vizitës së nëntorit pati mosdakordësi pikërisht për shkak të kërkesës së Ramës për njohjen e Kosovës.
















