Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin gjatë fjalës së saj në konferencën Rajonale “Integrimi rajonal i Ballkanit perëndimor, një shtysë për rritje ekonomike dhe stabilitetin”, vuri theksin tek vizita e Ramës në Beograd. Ambasadorja Vlahutin u shpreh se vizita e kryeministrit Edi Rama në Beograd do të marrë të gjithë vëmendjen e evropianëve. Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Romana Vlahutin duke u ndalur tek kjo vizitë, theksoi se sytë e Brukselit do jenë fokusuar tek takimet në Beograd në 10 nëntor.
“Vizita e kryeministrit në Beograd është ekstremisht e rëndësishme. Do të ketë vëmendjen tonë maksimale pasi është e rëndësishme që të lëvizet sa më shumë që mundeni drejt Evropës. Ndërsa BE do të kërkojë më tepër angazhim në të ardhmen për rajonin”, tha Vlahutin. Ndërsa ambasadori gjerman në vendin tonë, Helmut Hofman, e quajti thelbësore zgjidhjen e konflikteve në rajon për të përparuar drejt integrimit.” Nuk është shumë evropiane që vendet të kenë konflikte me fqinjët, pritshmëria është zgjidhja e tyre para se te vazhdoni në BE”, tha Hofman. Vizita e kryeministrit Rama do të zhvillohet në 10 nëntor, pas shtyrjes së asaj të programuar në 22 tetor.
Shtyrja e vizitës erdhi për shkak të incidenteve që ndodhën në stadiumin e Beogradit më 14 tetor në ndeshjen e futbollit midis Serbisë dhe Shqipërisë. Ndërsa pas këtij skandali duket se kjo vizitë ka prekur interesin jo vetëm të vendeve tona por të gjithë Evropës. Vetëm javën e fundit gazeta greke “Kathemirini” ka intervistuar të dy kryeministrat si atë shqiptar edhe atë serb. Gjatë vizitës që kryeministri Rama do të bëjë në Serbi një bisedë rreth incidentit të 14 tetorit është e pashmangshme. Kjo është vizita e parë e një kryeministri shqiptar pas 68 vitesh në Serbi. Rëndësia e saj është e dyfishtë duke pasur parasysh klimën e tensionuar që ka ekzistuar gjatë dy dekadave të fundit mes dy vendeve sidomos për sa i përket çështjes së Kosovës. Ndërsa fjalët e kryeministrit Rama se vendi ynë është i vendosur për hapjen e një kapitulli të ri me Serbinë dhe me gjithë rajonin treguan edhe njëherë tjetër aspiratat e vendit tonë për një anëtarësim në familjen më të madhe evropiane.
















