Rrjeti prestigjoz mediatik BBC ka ndryshuar profilin për Shqipërinë, duke nxjerrë në pah dy problemet kryesore që ka vendi, papunësinë dhe korrupsionin.
Megjithëse ka patur shenja progresi në ekonomi, me indikacione rritëse dhe me inflacionin që po mbahet nën kontroll, BBC thotë se mbetet një nga më të varfërit në Europë, mes vendeve ish-komuniste.
Niveli i papunësisë vijon të jetë kokëfortësisht i lartë dhe infrastruktura e dobët dhe korrupsioni mbajnë peng investimet e huaja.
Sipas një raporti të publikuar nga Transparency International Albania në 2012, Shqipëria është vendi më i korruptuar në Europë.
Tirana zyrtare aplikoi për anëtarësimin në BE në 2009 dhe në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të 2006 e mori statusin e vendit kandidat në Qershor të vitit 2014.
Bashkimi Europian inkurajon kryerjen e një sërë reformash, veçanërisht ato me fokus në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit; garantimin e lirisë në media; të drejtën e pronës dhe respektimin e të drejtave të minoriteteve.
Edi Rama, kryetari i Partisë Socialiste që erdhi në pushtet në 2013, ka premtuar se Shqipëria do të arrijë anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian brenda dhjetë viteve të ardhshme.
Përsa i përket profilit të Kryeministrit, BBC veçon se Edi Rama përballet me sfida të mëdha. “Premtimi i tij për të përmirësuar standardet e jetesës, në një vend ku shumë qytetarë varen nga të ardhurat e emigrantëve që jetojnë në BE e SHBA, do të jetë veçanërisht i vështirë për t’u realizuar” – shkruhet në faqen e rrjetit britanik.
“Në frontin e potikës së jashtme, një prej sfidave më të mëdha me të cilat ai përballet është rivendosja e urave të bashkëpunimit me Beogradin, që ka qenë shumë dyshues ndaj synimeve të Tiranës drejt Kosovës. Vizita e kryeministrit Rama në Beograd, e parë si një mundësi historike për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve, u shndërrua në një rast të tensionuar, në të cilin kryeministrat e Shqipërisë dhe Serbisë sulmuan njëri-tjetrin teksa folën mbi statusin e Kosovës” – përfundon BBC.















