Arben Manaj
Në një shenjë që mund të simbolizojë zhvillime të pafavorshme në Ballkan, gjigandi mediatik botëror BBC do të rifillojë transmetimet në serbisht “online”.
Kjo redaksi u mbyll në vitin 2011 bashkë me “BBC në Shqip” dhe disa gjuhë të tjera nga Evropa Lindore, pas një vendimi të konsultuar bashkë me “Foreign Office”, që edhe financon Shërbimin Botëror të BBC.
Nëse rihapen transmetimet në gjuhë të caktuara, si në këtë rast në serbisht, presupozohet se rajoni rikonsiderohet problematik. Ka një shqetësim kohët e fundit në Perëndim për ndikimin mediatik dhe jo vetëm rus në Ballkan.
Ndërkohë, burime diplomatike britanike e patën paralajmëruar Top Channel-in muaj më parë për një zhvillim të tillë dhe ndoshta mund të mos jetë larg dita që një gjë e tillë të ndodhë edhe me “BBC në Shqip”, i mbyllur para gjashtë vjetësh bashkë me “BBC në Serbisht”.






















