Kryebashkiaku Lulzim Basha ka uruar sot nga shkolla “Eqerem Çabej” të gjithë nxënësit e Tiranës dhe Shqipërisë për vitin e ri shkollor. Gjimnazistët e “EqeremÇabejt” e nisin këtë vit akademik në një shkollë të rindërtuar nga Bashkia e Tiranës, me një investim prej 126.6 milionë lekësh.
Përveç shkollës së mesme “Eqerem Çabej”, sot nisi viti i ri shkollor edhe në dy shkolla 9 vjeçare të rindërtuara nga Bashkia, shkolla “Ahmet Gashi” dhe “Niket Dardani”, investim prej 318,8 milionë lekësh i Bashkisë së Tiranës.
“Vij me një kënaqësi të madhe sot në këtë ditë të veçantë për qytetin e Tiranës, për ju, për prindërit tuaj, shokët e miqtë tuaj në gjimnazet e tjera të kryeqytetit, në shkollat 9 vjeçare të kryeqytetit dhe në të gjithë Shqipërinë, dita kur rinis shkolla pas pushimeve të verës.
E di që shumica prej jush kanë ardhur me dëshirë të madhe dhe me mall pas një shkëputjeje të pushimeve të verës dhe shpresoj që kjo dëshirë e madhe për të rifilluar shkollën, t’iu zmadhohet edhe më shumë nga fakti se ju jeni një ndër 3 shkollat e kryeqytetit që janë tërësisht të rindërtuara, pra futeni në një shkollë të re, me ambiente të reja, me palestër të re, me laboratorë të rinj, sigurisht me mundësinë për miqësi dhe shoqëri të reja, pa harruar ato të vjetrat që besoj i keni marrë me vete nga viti i kaluar shkollor por mbi të gjitha me një përkushtim të ri apo të rinovuar për përgjegjësinë tuaj kryesore, atë të nxënies, mësimit, përgjegjësi të cilën e keni para vetes suaj në radhë të parë dhe për veten tuaj e më pas për familjen tuaj e natyrisht edhe për qytetin ku jetoni, edhe për këtë vend që sytë e shpresës i kanë tek ju, tek brezi i ri i shqiptarëve europianë, siç jeni ju, siç janë të gjithë nxënësit e kryeqytetit dhe të gjithë Shqipërisë.
Duke ndarë me ju kënaqësinë e madhe dhe emocionet e ditës së parë të shkollës, më lejoni t’ju uroj nga zemra suksese, një vit të mbarë, kalofshi sa më bukur dhe nderofshi veten e familjet tuaja dhe emrin e këtij gjimnazi me rezultatet tuaja!” – u shpreh kreu i Bashkisë sëTiranës.
Zoti Basha ka vizituar ambientet e reja të shkollës “Eqerem Çabej”, si biblioteka, salla polivalente, laboratorë biologjie dhe informatike, palestrën etj.
“Eqerem Çabej” është e 14-ta shkollë e mesme e përgjithshme e Tiranës, ku Bashkia ka instaluar një sistem të monitorimit me kamera, për të rritur sigurinë në shkolla. Projekti konsiston në vëzhgimin pamor 24 orë të të gjithë ambienteve të jashtme të gjithë perimetrit të shkollës, ruajtjen e këtyre imazheve deri në 30 ditë.
Ky është një hap i cili i shërben rritjes së sigurisë në shkollat tona dhe në ambientet përreth tyre. Ky është një hap i rëndësishëm në monitorimin dhe rritjen e parametrave të sigurisë. Edhe në këtë shkollë, ashtu si në investimet e tjera të Bashkisë është instaluar sistemi i ngrohjes qendrore me peletë.