“Kryeministri Edi Rama po kërkon të fusë nën kthetra sistemin e drejtësisë. Demokracia sot është në rrezik”-tha kryeopozitari Lulzim Basha pas takimit më shumë se dyorësh me ambasadorët
Kryetari i Partisë Demokratike opozitare Lulzim Basha tha se u bëri të ditur partnerëve ndërkombëtarë shqetësimin për krijimin e një klime dhune nga kryeministri Edi Rama në Kuvend.
Zoti Basha ua parashtroi qëndrimet ambasadorëve të vendeve partnere në Tiranë në një takim që përfundoi disa minuta më parë në Tiranë.
“Kryeministri Rama po kërkon të fusë nën kthetra sistemin e drejtësisë. Demokracia sot është në rrezik”-tha kryeopozitari Basha pas takimit më shumë se dyorësh me ambasadorët.
“Kërcënimi ndaj demokracisë, stabilitetit është rreziku më i madh dhe i drejtpërdrejtë – tha ai. – Ky është kërcënim, për të cilin flasin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe zyrtarët e tjerë të Bashkimit Europian”.
Sipas tij, kryeministri Rama “ka ngritur një rrjet kriminal në Kuvend”. dhe “po kërkon t’i mbyllë gojën opozitës me dhunë”.
“Pas faktit të ngritjes së një fasade dhune, në këtë kuadër vumë theksin tek përpjekjet për zhbërjen e shtetit ligjor përmes kapjes së institucioneve të pavarura, përmes përpjekës për të vënë drejtësinë nën hyqmin politik, përmes futjes së krimit në qeveri”-tha kryetari i PD-së.
Ai ritheksoi se “krimi ka hyrë në Parlament” dhe se “demokracia rrezikon të kthehet në oligarki”:
“Qëndrojmë fuqishëm në mbrojte të fjalës së lirë, synojnë ta kthejnë Shqipërinë, të ardhmen e fëmijëve tanë në vend krimi dhe trafiku. Parlamenti është bërë fasadë e qeverisjes oligarkike”.
PD premton, sikurse thotë kryetari Basha, se do të vazhdojë betejën kundër paligjshmërisë dhe krimit, duke vepruar siç kujtoi dy kallëzimet penale në Prokurori për deputetët e Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu dhe Arben Ndoka.
Kallëzimi i parë për deputetët Ndreu dhe Ndoka është për dhunë kundër kolegut opozitar Gent Strazimiri, kurse i dyti po për ndokën, për kërcënim të zëdhënëses së Partisë Demokratike, Laura Vorpsi.















