Ban në këtë raport ka sqaruar se situata jo e mirë në Kosovë, protestat e opozitës si dhe zgjedhjet e parakohshme në Serbi, kanë ndikuar edhe në vonesat e zbatimit të këtyre marrëveshjeve.
“Situata e tensionuar politike dhe protestat e opozitës kanë ndikuar në angazhimin e Prishtinës, ndërsa zgjedhjet parlamentare dhe procesi i formimit të qeverisë kanë ndikuar në vëmendjen e Beogradit”, thuhet në këtë raport tremujor të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.
Ai përmes këtij raporti ka kërkuar nga të dyja palët që të tregojnë gatishmëri dhe të jenë më kreativ e fleksibil në arritjen e përparimit në raport me normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në periudhën 3 mujore (prill-korrik) që përfshihet në këtë raport, nuk është zhvilluar asnjë takim i nivelit të lartë (liderëve shtetërorë) mes të dy vendeve. Ndërsa, siç thuhet në raport, përkundër gatishmërisë, dyja palët vazhdojnë ta akuzojnë njëra-tjetrën për mungesë të gatishmërisë për t’i zbatuar marrëveshjet.






















