Filmi shqiptar “Ballkoni” nga Kosova është vlerësuar filmi më i mirë nga juria dhe nga mediat në festivalin që u zhvillua në Istrana të Italisë. Filmi i regjisores kosovare, Lendita Zeqiraj, ka marrë dy çmime në edicionin e 15-të të festivalit “Fiaticorti Film Festival”. Nga ky festival “Ballkoni” është kthyer në shtëpi me trofeun e çmimit “Fiaticorti” dhe me mirënjohjen e veçantë “Cinemabreve”, që i ndahet filmit më të mirë të festivalit nga vlerësimi i mediave. Në faqen zyrtare të festivalit, ku tashmë janë bërë publike emrat e fituesve, shkruhet se “Fiaticorti…” është një garë ndërkombëtare për filma të shkurtër që për çdo vit mirëpret regjisorë të ndryshëm në Istrana. Bujar Kabashi, nga “n’Art Production”, që ka realizuar filmin e bashkëfinancuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, u shpreh se është hera e parë që në këtë festival ndahen dy çmime për të njëjtin film. “Çdo pjesëmarrje në festivale dhe çdo çmim e ka rëndësinë dhe veçantinë e vet. Përveç sadisfaksionit artistik dhe konfirmimit të një pune të shkëlqyer nga juria profesionale, kësaj here edhe nga mediat këto çmime na e lehtësojnë punën në promovimin e artit, artistëve dhe shtetit tonë”, pohoi Kabashi. Sipas tij, çmimet e tilla, janë dëshmi për vlerat kinematografike të Kosovës. “Dita-ditës po i dëshmojmë botës që edhe ne kemi vlera. Shpresoj që kjo dëshmi do të zërë vend edhe te institucionet tona”, shton më tej ai. Filmi shqiptar “Ballkoni” nis rrëfimin me një djalë 10 vjeç, i cili është i ulur në skaj të ballkonit në katin e katërt të një ndërtese. Fqinjët dhe kalimtarët, të tmerruar nga kjo, thërrasin policinë e zjarrfikësit, por e tërë situata është shumë kaotike dhe kërkon vëmendje për ta menaxhuar. Ky është filmi i parë shqiptar që ka marrë pjesë në festivalin më të vjetër ndërkombëtar të filmit në Venecia të Italisë në vitin e kaluar. Trofeu i çmimit “Fiaticorti” që ka marrë “Ballkoni” është një statujë e kristaltë e punuar nga artisti italian Marco Varisc, veprat e së cilit ndodhen në muzeun “Gugenhajm” në New York. Regjisorja kosovare, Lendita Zeqiraj, në fund të tetorit, me filmin “Ballkoni” mori çmimin për regjinë më të mirë në Washington. Pjesëmarrja në “Washington West Film Festival” ka bërë që ky film të marrë çmimin e tetë vetëm në ShBA.
Historia e panjohur/ Si e shpëtoi Selanikun shqiptari Hasan Tahsin Pasha
Këtë të diel u mbushën 113 vjet që nga çlirimi i Selanikut nga perandoria osmane, më 26 tetor 1912. Gazeta...

















