Kosova do të jetë pjesë e projektit rajonal SEECP, i njohur si Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, presidencën e së cilës sivjet e kryeson Shqipëria.
Taulant Balla, nënkryetar i komisionit të Integrimit, pjesë e delegacionit të SEECP për Shqipërinë tha se Kosova është një ndër objektivat më të rëndësishëm për Shqipërinë në Presidencën e saj të radhës sa i përket SEECP.
Balla foli pas një takimi në Komisionin e Jashtëm me përfaqësues të 12 vendeve të Evropës Juglindore.
Lidhur me faktin se si e ka pritur Serbia, përfshirjen e Kosovës në gjithë axhendën e takimeve që Shqipëria do të organizojë me rastin e Presidencës së radhës të SEECP, Taulant Balla tha se ky është një vendim unanim, tashmë i ndërmarrë në samitin e Bukurshetit, ku kryetarët e shteteve të vendeve që janë pjesë e këtij procesi bashkëpunimi ranë dakord që edhe Kosova të ishte pjesë e kësaj nisme.
Unë nuk dua të bëj komente mbi vendime të marra në mënyrë unanime në Samitin e fundit të Bukureshtit kur kryetarët e shteteve, të vendeve të këtij procesi bashkëpunimi u shprehën dakord, dhe sigurisht që edhe sot në fjalën time të prezantimit të objektivave u shpreh qartë që është një realitet i gjithëpranuar tashmë që Kosova është një vend që do të jetë pjesë e të gjithë proceseve bashkëpunuese në rajon. Në këtë iniciativë kaq të rëndësishme rajonale disa prej vendeve janë anëtare të BE-së, Sllovenia, Kroacia, Bullgaria, Rumani, dhe Greqia; që janë anëtare të kësaj iniciative dhe një nga dimensionet e kësaj nisme është përfitimi i eksperiencave nga këto vende me qëllim që destinacioni i përbashkët i vendeve të përfshira në këtë proces bashkëpunim të jetë Brukseli”, tha më tej Balla.















