Babë e bir e kishin menduar të lehtë vrasjen e bashkëfshatarit dhe njëkohësisht krushkut të tyre dhe marrjen e parave të tij. Ata kujtuan se do “t’ia hidhnin paq”, kur i thanë policisë se ai vdiq aksidentalisht. Gjithçka kishte ndodhur ditën e diel dhe përgjatë dy ditëve Mjekësia Ligjore përcaktoi se viktima ishte goditur me sende të forta në kokë dhe për pasojë gjeti vdekjen dhe se ngjarja nuk ishte aksidentale. Nga policia mësohet se atë e bir kishin shfrytëzuar lidhjen e tyre të krushqisë me viktimën, për t’i gjetur momentin kur i hynë në shtëpi dhe e vranë. Viktima njihej si një person që jepte me fajde shuma të vogla parash, pasi i siguronte nga punësimi i të birit, që jeton në Greqi. Kështu, Policia e Shtetit njoftoi dje se për këtë ngjarje janë arrestuar dy grabitësit, Naim Çekrezi 56 vjeç dhe djali i tij, Ilir Çekrezi, 25 vjeç. Gjithashtu, atyre u janë gjetur edhe sendet e vjedhura të fshehura në një ullishte. Pas ekspertizës mjekoligjore dhe këqyrjes së provave në vendin e ngjarjes rezultoi se autorët e kanë goditur viktimën Bajram Shikolla, 56 vjeç, me mjete të forta duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Gjatë veprimeve hetimore të ndjekura me metoda speciale të hetimit, rezultoi se në njërën dhomë të banesës së viktimës, autorët kishin vjedhur një sasi prej 250.000 lekësh (të reja) dhe 1880 euro. Pasi kanë marrë shumën e parave, autorët e kanë vendosur viktimën në një pozicion sikur ishte rrëzuar dhe kishte përplasur kokën, por që më pas nuk rezultoi e tillë. Ndërkaq, policia thotë se krimi provohet edhe nga gjetja e shumës së parave, si dhe e rrobave të autorëve, të cilat i kishin përdorur natën e krimit. Tashmë Naim dhe Ilir Çekrezi do të gjykohen për veprën penale “Vjedhja me pasojë vdekjen, kryer në bashkëpunim”. Referuar rrethanave të ngjarjes dhe pas kryerjes së ekspertizës mjekoligjore, specialistët përcaktuan se paraditen e 14 marsit, rreth orës, 11.00, duke shfrytëzuar lidhjen e krushqisë që kishin me Shinakollën, ata kanë shkuar në shtëpinë e 56-vjeçarit për ta grabitur. Më pas kanë qëlluar pas koke dhe në ballë me dru, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pasi kryen vrasjen, ata kanë inskenuar vendin e ngjarjes, duke e bërë të dukej si vdekje aksidentale. Viktima Bajram Shinkolla njihej në zonë si person që jepte paratë me fajde, për shkak të pasurisë së krijuar nga fakti që i biri ishte emigrant në Greqi. Policia sekuestroi rrobat e përdorura në momentin e kryerjes së krimit, 250.000 lekë të reja, 1880 euro dhe një aparat celular. Ndërkaq, celulari i viktimës u dogj nga autorët. Këta të fundit janë dërguar në qelitë e paraburgimit, ku po u merren dëshmitë në lidhje me këtë ngjarje të rëndë.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...















